Site icon Telegrafi

Jahjaga kritikon ashpër deputeten Brovina: Publikimi i fotografisë është joetik, joligjor, e jonjerëzor

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila njëherit ka përfaqësuar viktimat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, në Kongresin amerikan, ka reaguar ndaj fotografisë së publikuar, sot në Kuvendin e Kosovës, nga deputetja Flora Brovina.

Në një status në llogarinë e saj në Facebook, Jahjaga ka shkruar se është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një deputete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë.

“Një goditje e rëndë u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me publikimin e pamjeve që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës! Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një deputete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë.

Lexo po ashtu Publikoi një fotografi të dhunimit të një gruaje nga ushtarët serbë, Flora Brovina ka edhe dy dëshmi tjera

Veprimi i deputetes është joetik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre.

Publikimi i fotografisë është goditje e sërishme ndaj dinjitetit të gruas që shihet në fotografi dhe është një goditje e rëndë për luftën tonë për drejtësi për mijëra gra e burra që u bënë cak i një fushate të egër të dhunimit seksual që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës së 1998-1999 për ta spastruar Kosovën etnikisht nga shqiptarët!

U bëjë thirrje mediave që të largojnë fotografinë nga platformat e tyre për të mos e dëmtuar viktimën edhe më shumë! U bëjë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim dhe të veprojnë në përputhje me ligjin”, ka shkruar në Facebook, Atifete Jahjaga.

Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike!/Telegrafi/

Exit mobile version