Telegrafi

Jahjaga: FSK-ja, krenaria e Kosovës

Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë (FSK), presidentja Atifete Jahjaga u prit sot nga komandanti i FSK-së, Rrahaman Rama dhe ministri i FSK-së Haki Demolli, në prag të përfundimit të mandatit të saj si presidente e vendit.

Rama fillimisht e ka falënderuar Jahjagën për bashkëpunimin, koordinimin dhe angazhimin e Presidentes për FSK-në, gjatë mandatit të saj si Komandante supreme.

Me këtë rast, Rama e ka njoftuar presidenten në përgjithësi mbi zhvillimin, profesionalizimin, bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtarë, operacionet dhe aktivitetet, trajnimet dhe shkollimet si dhe mbi procesin e përgatitjeve që FSK-ja është duke i zhvilluar në mënyrë që vendimi i institucioneve më të larta të vendit për transformim të FSK-së në Forca të Armatosura, apo ndryshimi i misionit të saj ta gjej institucionin të përgatitur për një transformim profesional.

Jahjaga e ka përgëzuar Ramën si dhe ministrin Demolli për komandimin dhe menaxhimin me sukses të FSK-së dhe Ministrisë. E para e vendit tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni i cili ka arritur që edhe në nivel të rajonit dhe më gjerë të prezantoj shumë suksesshëm si Kosovën ashtu dhe Forcën e saj.

Komandantja e përgjithshme, gjatë takimit tha se Kosova është duke ndërtuar një Forcë gjithëpërfshirëse duke përsëritur se synimin ynë është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.