Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka filluar programin Montgomery Fellowship në Universitetin e Dartmouth, njofton kumtesa nga Zyra e ish Presidentes.
Në faqen zyrtare të këtij Universiteti, pasi rrëfehet karriera saj politike, thuhet se qëndrimi i Jahjagës në Dartmouth do të jetë një mundësi që ajo të reflektojë për presidencën e saj dhe të planifikojë të ardhmen.
“Ajo është shumë e re dhe shumë e rëndësishme për t’u pensionuar, sipas mendimit tim, sidomos me çfarë po ndodh politikisht nëpër botë momentalisht”, thotë drejtori i Programit Montgomery Fellows, Klaus Milich.
“Ajo do të jetë shumë e përfshirë me komunitetin e Dartmouth gjatë kohës sa do të qëndrojë këtu”, thotë Milich. “Ajo do të vizitojë klasat, do të takojë studentët, do të takohet me stafin e fakultetit. Ajo me të vërtetë dëshiron të përfshihet”, transmeton koha.net.
Të enjten, më 14 korrik, Jahjaga do të japë një ligjëratë publike për “Fuqizimin e Grave – Lidershipin e Grave” në orën 16:30 në Moore Theater në Hopkins Center. Gjithashtu, thotë Milich, evente formale dhe joformale do të caktohen përgjatë dy muajve të qëndrimit të saj.
Programi Montgomery Fellowship, i cili fton individë në kampusin e Universitetit të Dartmouth të jetojnë, punojnë dhe të ndajnë përvojat e tyre me komunitetin, është krijuar në vitin 1977, si dhuratë nga Kenneth dhe Harle Montgomery.
“Qëllimi i Programit Montgomery Fellows është të ju japë studentëve mundësi të njoftohen me persona si Presidentja Jahjaga, të cilët kanë përvoja reale – në mënyrë që të shohin se si teoritë lidhen me politikat ditore”, thotë Milich.
Kjo është vizita e dytë e Jahjagës në Dartmouth. Në vitin 2012 ajo mbajti një fjalim për sfidat dhe sukseset e shtetndërtimit të Kosovës, dhe nderoi ish dekanin dhe mjekun James Strickler, me Medaljen Humanitare të Nënës Terezë për përpjekjet e tij për të implementuar program mjekësore në Ballkan.