Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, me të cilën bisedoi rreth projekteve të përbashkëta në kuadër të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Presidentja Jahjaga vlerësoi lart përkushtimin e Ambasadores Turke për të ofruar mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës me anë të projekteve të shumta, të cilat tashmë kanë filluar zbatimin, si në fushën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore falas, ashtu dhe në fushën e fuqizimit ekonomik me anë të trajnimeve të shumta dhe mbështetjes financiare.
Jahjaga theksoi se projekte të tilla i kontribuojnë synimin të Këshillit për të rehabilituar, riintegruar dhe risocializuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ajo shtoi se përtej progresit të shënuar mbetet ende punë për t’u bërë për të arritur rehabilitimin e të mbijetuarve dhe luftimin e stigmës që ende mbizotëron, duke shprehur përkushtimin e saj për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale deri në realizimin e plotë të të gjitha të drejtave të tyre.
Ambasadorja Turke, Kivilcim Kiliç përgëzoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen institucionale që u ka ofruar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe shprehu përkushtimin e saj për të vazhduar edhe në të ardhmen mbështetjen ndaj kësaj kategorie. /Telegrafi/