Site icon Telegrafi

Jahja Lluka: S’ka pajtim me Serbinë derisa kriminelët janë të lirë

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën familjarët e personave të pagjetur kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen aktuale të tyre.

Nysrete Kumnova përmendi çështjen e rritjes së pensioneve për familjet e personave të pagjetur, çështje për të cilën ngriti shqetësimin e saj meqë Qeveria Haradinaj është në dorëheqje, dhe pyeti këshilltarin e Haradinajt se çka ndodhë tani me ketë çështje.

Këshilltari i Haradinajt, Jahja Lluka tha se Qeveria ka kryer punën e vet dhe tash i mbetet Kuvendit të Kosovës t’i miratojë propozimet që janë dërguar.

“Koncept dokumenti është miratuar në qeveri, po e presim përgjigjën e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj që parlamenti, pavarësisht përbërjes, që nuk do ta aprovojë këtë ligj, por këtë duhet parlamenti ta bëjë. Qeveria ka bërë punën e saj. E kemi obligim moral me kry punën, ne nuk jemi në pushim, jemi në punë deri në ditën kur vjen kryeministri tjetër. Nuk besoj që ka deputet ose njeri në Kosovë që mund të thotë që familjet e të pagjeturve nuk do t’i kenë ato privilegje që i kemi propozuar”, tha Lluka

Këshilltari i Haradinajt përmendi edhe njëherë lirimin e kriminelit serb, Miodrag Solaja, i cili ditë më parë u lirua në Serbi para kohës. I njëjti akuzohej për vrasjen e civilëve në Podujevë, në mesin e tyre edhe fëmijë.

Ai tha se kjo është e papranueshme për Kosovën dhe se nuk ka pajtim me Serbinë derisa kriminelët lihen të lirë.

Në mbledhjen e sotme komisioni diskutoi edhe për organizimin e ditës së 30 gushtit, ditës së personave të pagjetur, ku u caktua këshilli organizativ. /KP/

Exit mobile version