Site icon Telegrafi

Jaguar XKSS origjinal i vitit 1957 del në ankand – pritet të shitet deri në 14 milionë dollarë

Një Jaguar XKSS i rrallë – versioni rrugor i veturës së famshme garuese D-Type – pritet të dal në bllokun e ankandit të Monterey Car Week, teksa vlera e saj pritet që të arrijë deri në 14 milionë dollarë.

Jaguari në gjendje origjinale ofrohet nga firma e ankandeve RM Sotheby’s në eventin e saj vjetor Monterey Car Week – e cila zakonisht tërheq vetura klasike multi-milionshe për çdo vit – në fund të gushtit, me mbikëqyrësit të cilët veturën e përshkruajnë si “një nga ekzemplarët më origjinal dhe më të ruajtur të XKSS”.

Vlen të përmendet se vetura e reklamuar nga RM Sotheby’s ka një shasi që daton nga viti 1957, e cila mban bllokun e saj origjinal të motorit me numër serik, kokën, kutinë e shpejtësisë, boshtin e pasmë dhe karrocerinë, raporton Drive, transmeton Telegrafi.

Janë disa arsye se përse Jaguar XKSS është kaq i vlefshëm, dhe pse mund të arrijë një çmim aq të lartë në ankand.

Prodhuesi britanik i veturave kishte garuar me veturën e saj të famshme D-Type në garën e famshme 24 Hours of Le Mans gjatë viteve të 50-ta, por e tërhoqi atë nga gara në fundin e vitit 1956. Pas tërheqjes, Jaguar mori vendim që modelin D-Type ta transformonte në një veturë rrugore sportive – XKSS – për të tërhequr vëmendjen e klientëve amerikan.

Ishin bërë vetëm disa ndryshime të vogla në mënyrë që D-Type të kthehet në një veturë rrugore – heqja e krahut të madh aerodinamik që ndodhej pas shoferit, shtimi i derës nga ana e pasagjerit dhe heqja e ndarësit midis pasagjerit dhe shoferit.

Ajo mbajti të njëjtin motor 3.4 litra me gjashtë cilindra në linjë si makina e garave Jaguar D-Type dhe pesha e saj trupore prej 921 kg siguroi synimet e saj sportive.

Në total ishin prodhuar 16 njësi nga një shifër e planifikuar prej 25 njësive deri në fillim të vitit 1957. Megjithatë, një zjarr shpërtheu brenda fabrikës së Jaguar, duke shkatërruar nëntë ekzemplarët e mbetur. /Telegrafi/

Exit mobile version