Telegrafi

Jacobson: Koha për një të ardhme pa korrupsion

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë motori kryesor i rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Kështu tha ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, në prezantimin e projektit “Fuqizimi i sektorit privat”, për të cilin tha se është i rëndësisë së veçantë. “Tani ka ardhur koha që të kthehet një faqe tjetër e të krijohet një e ardhme tjetër, që mënjanon korrupsionin dhe krijon një mjedis më stabil”, tha Jacobson.

Me financimin e USAID-it filloi projekti “Fuqizimi i sektorit privat”, që synon punësimin e sa më shumë njerëzve në Kosovë, përmes kompanive të cilat kanë mundësi për shtije dhe që kanë nevojë të punësojnë njerëz.

“E dimë se një prej pengesave kryesore është korrupsioni dhe ndoshta nuk e dini, por sot është dita ndërkombëtare kundër korrupsionit, është ditë e rëndësishme edhe në Kosovë, sepse posa u zgjidhë qeveria e re. Mendoj sek jo koinçidencë duhet të jetë e rëndësishme për të gjithë në Kosovë, si për qeverinë ashtu edhe për sektorin privat. Tash ka ardhur koha që të kthehet një faqe tjetër dhe të krijohet një e ardhme tjetër që mënjanon korrupsionin dhe krijon një mjedis më të qëndrueshëm dhe më stabil”, ka thënë ambasadorja Jacobson, transmeton Kosovapress.

Jacobson u ndal edhe tek rritje ekonomike,duke e vlerësuar si çelësi kryesor i suksesit të së ardhmes në Kosovë. Jacobson tha se janë duke punuar në rritjen ekonomike në mënyra të ndryshme.

E drejtori i ri USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se përmes këtij projekti duan të mbështesin qytetarët e Kosovës që t’i zgjidhin problemet e tyre në punësim.

“Është kohë kritike për Kosovën, prandaj edhe jep një mundësi sektorit privat që të ngrit zërin dhe të punojë edhe më shumë, sepse fuqia punëtore e Kosovës është më e aftësuar se gjithçka tjetër. Por, ende ka shumë pengesa të tjera, të cilat duhet t’i tejkalojmë. Janë shumë njerëz të cilët dëshirojnë të punojnë, por nuk gjejnë punë, në veçanti në mesin e të rinjve”, ka thënë ai.

Sipas Hope, këto janë edhe arsyet pse po niset ky program. Ai tha se për të arritur sukses ky projekt, duhet punuar bashkërisht me ndërmarrje dhe institucione vendore.

David King, shef i projektit për fuqizimin e sektorit privat, tregon se synimi I përgjithshëm i projektit është krijimi i vendeve të reja të punës, që siç thotë ai bëhet përmes kompanive që kanë mundësi për shitje dhe kanë nevojë të punësojnë njerëz.

“Synimi i përgjithshëm i projektit është krijimi i vendeve të punës; është goxha e thjeshtë, dhe si të krijojmë vende të reja pune përmes kompanive që kanë mundësi për shitje dhe kanë nevojë të punësojnë njerëz për të përmbushur urdhrat e tyre për t’i çuar bizneset e tyre përpara. Mundësitë e punësimit për profilet e punës që janë në treg dhe njerëz që mund të jenë të kualifikuar për ato profile, pra krijimi i vendeve të punës vjen përmes firmave konkurruese dhe individualeve konkurrues, të cilët janë në gjendje të përmbushin mundësitë e biznesit dhe punësimit në treg, përmes firmave të fuqizuara dhe individualeve dhe ky është emri i projektit tonë”, ka thënë ai.

Në prezantimin e projektit “Fuqizimi i sektorit privat” u tha se projekti në fjalë mbanë vlerën prej 10 milionë dollarë dhe është projekt pesëvjeçarë. Ky projekt ka për qëllim krijimin e sa më shumë vendeve të reja të punës. /Telegrafi/