Jack Wilshere është zotuar se do të kthehet pas ndërhyrjes kirurgjike për të korrigjuar një hernie abdominale, si pasojë e të cilës nuk do të mund të luajë deri në fund të sezonit.
Mesfushori i West Ham Unitedit i ka publikuar në InstaStory disa fotografi, ku shfaqet në spital pas operacionit.
28-vjeçari ka startuar vetëm në dy ndeshje në Ligën Premier këtë sezon për shkak se problemet me lëndime kanë vazhduar t’ia kufizojnë lojën.
Ish-futbollisti i Arsenalit tash përballet me një tjetër mungesë afatgjatë, mirëpo është i vendosur që të kthehet më i fortë.
“Qeshni me mua, por mos harroni se jam një qenie njerëzore që dëshiron t’i mbathë këpucët dhe të luajë futboll. Është gjëja e vetme që e dua dhe trupi im aktualisht nuk ma lejon. Kjo më dhemb shumë, por do të kthehem”, shkruan në postimin e tij.
Wilshere iu bashkua West Hamit në verën e vitit 2018 si lojtar i lirë, ndërsa që atëherë ka regjistruar vetëm 18 paraqitje.
Lojtari që paguhet 100.000 funte (120.000 euro) në javë, në sezonin e kaluar pati problem me nyjën e këmbës, ndërsa këtë sezon gjërat janë përkeqësuar akoma më shumë. /Telegrafi/