Site icon Telegrafi

Jack Ma dhuron 14 milionë dollarë për të ndihmuar shkencëtarët të zhvillojnë vaksinën kundër coronavirusit

Jack Ma, themeluesi i Alibaba dhe njeriu më i pasur i Kinës, ka dhuruar 100 milionë juanë (14.4 milionë dollarë) përmes fondacionit të tij për të ndihmuar në gjetjen e një vaksine për coronavirusin Wuhan.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, miliarderi ka ofruar 40 milionë juanë (5.8 milionë dollarë) për dy organizata qeveritare kineze të kërkimit, sipas një postimi në mediat sociale nga fondacioni Jack Ma.

Ndërsa pjesa tjetër e fondeve, thuhet se do të përdoret për të mbështetur masat “parandaluese dhe trajtuese”, tha fondacioni.

Ky donacion pason një njoftim të së shtunës nga Alibaba se po krijon një fond 1 miliard juan (144 milionë dollarë) për të blerë pajisje mjekësore për provincën Wuhan dhe Hubei, epiqendra e shpërthimit të virusit.

Kompania gjithashtu po ofron fuqi kompjuterike falas për organizatat kërkimore shkencore për të mbështetur kërkimin për një vaksinë ose trajtimin e virusit.

Alibaba është një nga një mori kompanish teknologjike kineze që po dhurojnë fonde për përpjekjet e trajtimit të coronavirusit, sipas gazetës shtetërore China Daily.

Po sipas mediave vendase, përveç Alibaba, donacione kanë ofruar edhe prodhuesin e telefonave inteligjentë Huawei, kompaninë e tregtisë elektronike Tencent (TCEHY), motorin e kërkimit Baidu (BIDU), pronarin e TikTok ByteDance dhe firmën e ofrimit të ushqimit, Meituan-Dianping.

Sipas CNN, shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë ndër ata që punojnë për një vaksinë të tillë.

Gjithsesi, së paku siç ka paralajmëruar Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive të SHBA, mund të kalojë më shumë se një vit derisa të vihet në dispozicion një vaksinë e tillë.

Ndryshe, po sipas CNN, virusi ka vrarë të paktën 132 njerëz, me gati 6.000 raste të konfirmuara në territorin e Kinës. Më shumë se 80 raste janë konfirmuar gjetkë, përfshirë në Shtetet e Bashkuara dhe Australi. /Telegrafi/

Exit mobile version