Site icon Telegrafi

Jacinda Ardern heq kufizimet e vendosura për shkak të coronavirusit në qytetin më të madh të Zelandës së Re

Kufizimet e vendosura si pasojë e rasteve të reja të coronavirusit në qytetin më të madh të Zelandës së Re do të hiqen këtë javë.

Kështu ka thënë kryeministrja Jacinda Ardern ndërsa shprehu besimin se një valë e dytë e infeksioneve me COVID-19 në Auckland pothuajse është eliminuar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Siç bëhet e ditur, qyteti do të lëvizë në nivelin e alarmit 1 nga 11:59 pasdite të mërkurën (me kohën lokale), duke u bashkuar me pjesën tjetër të vendit, pasi nuk raportoi asnjë rast të ri për 10 ditë rresht.

“Tani ekziston një probabilitet prej 95 për qind që virusi të eliminohet”, ka thënë zonja Ardern në një konferencë shtypi.

Zelanda e Re, një vend me 5 milionë njerëz, duket se ka “shkatërruar” transmetimin e COVID-19 në komunitet më parë këtë vit pas një bllokimi të ashpër në të gjithë vendin që u hoq më pas.

Shpërthimi i serishëm në Auckland, i zbuluar në gusht, ishte më i madhi që vendi kishte parë me 179 raste të lidhura, duke e shtyrë zonjën Ardern të forconte kufizimet në Auckland.

Lehtësimi i masave do të thotë që nuk do të ketë asnjë kufizim prej 100 personash në mbledhjet në Auckland dhe as rregulla të distancimit fizik në bare dhe restorante.

Vendi regjistroi një rast të ri të hënën, duke çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 1,499, duke përfshirë 25 vdekje. /Telegrafi/

Exit mobile version