Vetë kryeministri Edi Rama, sa herë gjen kohë, ndjek nga afër punimet. Duhet tepër kujdes pasi bëhet fjalë për materiale tepër të veçanta, të ardhura thuajse të gjitha nga jashtë. Në këtë kantier të rrallë, kryeministrit i kanë ardhur në ndihmë edhe miq të tij, të njohur për cilësinë e tyre të lartë në fushën e ndërtimit.
Nuk bëhet fjalë për një vilë të zakonshme. Këto mure masive betoni, pas pak kohësh do të ngjajnë më shumë me një vepër arti moderne se sa me një vilë- rezidencë banimi. Betoni është special, me disa shtresa të veçanta që sigurojnë izolim perfekt dhe temperaturë konstante brenda hapësirës së banimit. Ndërtesa është konceptuar me tre seksione që lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet një mesoreje- tunel. Pjesa e mesit, ajo më e ulëta, është hapësira e çiftit Rama, dhoma e gjumit dhe ndarjet e tjera funksionale për bashkëshortët.
Pjesa e parë e rezidencës, pak më e lartë se ajo e mesit, do të jetë hapësira e ndenjes familjare, por edhe me ambiente të tjera për të pritur miq e të ftuar. Pjesa më e lartë, përbën një lloj atelie, që ende nuk dihet se çfarë funksioni konkret do të ketë. Në krah të saj ka edhe një hapësirë tjetër që ndoshta do të jetë në funksion të punonjësve që do të kujdesen për kryeministrin dhe familjen e tij.
Përveç betonit special, edhe vetratat e mëdha të xhamit kanë ardhur nga jashtë. Ato janë prerje të mëdha, me një material tepër cilësor dhe në disa vende janë vendosur në mënyrë të tillë që të reflektojnë brenda pamjen e ullinjve që rrethojnë vilën. Po kështu, i veçantë ka qenë edhe materiale me të cilin po shtrohen dyshemetë. Bëhet fjalë për terrazzo alla veneziana, një shtresë unikale e prodhuar me porosi, që varion tek një çmim rreth 200 euro për metër katror. Tavanët gjithashtu do të jenë një fjalë e fundit e teknikës së ndërtimit, për t’i lejuar kreyministrit që të komunikojë lirshëm me qiellin.
Për këtë vepër unikale, sigurisht që duhen kujdes i madh në detajet e ndërtimit, por edhe shpejtësi. Objektivi është që Edi, Linda dhe Zaho i vogël të futen në shtëpinë e re përpara vitit të ri. Në foto shihet që edhe rrugicat përpara rezidencës kanë nisur të sistemohen, muret rrethues të gurit kanë përfunduar, ndërkohë që eskavatorët po hapin një rrugë të re që e lidh godinën me rrugën kryesore të fshatit. Në kontrast me shtëpitë e tjera të fshatit Surrel dhe me kthimin në identitet, kjo ndërtesë mund të kthehet shumë shpejt në një atraksion të arkitekturës moderne.
Një bizhu arkitekturore në mes të fshatit tipik tiranas. Për një vepër të tillë, a nuk tingëllon pa kuptim pyetja: Sa lekë janë harxhuar? /Lapsi.al/Telegrafi/