Telegrafi

Ja si kërkonin drejtuesit e burgjeve 20 për qind nga tenderat e ushqimeve

Artur Zoto, ish-drejtori i përgjithshëm i Burgjeve e mohon akuzën e “korrupsionit” në bashkëpunim. Para gjyqtarit të masave, që zhvilloi seancën me dyer të mbyllura, ish-drejtori Zoto nuk pranoi të japë shpjegime të hollësishme për akuzën, duke kërkuar që mos të merret e mireqenë dëshmia e ish-zëvendësit të tij, tashmë të arrestuar Iljaz Labi.

Ndërkohë avokati mbrojtës i tha gjykatës se i pandehuri Iljaz Labi për të shpëtuar vetën ka përfshirë edhe ish-shefin e tij në korrupsion, por pa prova konkrete. Për këtë fakt, avokati tha se Zoto duhet të lirohet nga burgu.

Kërkesën e avokatit dhe të dyshuarit Zoto, mësohet se e ka kundërshtuar prokurorja e çështjes, e cila i kujtoi gjykatës se për arrestimin e ish-drejtorit veç dëshmisë së Iljaz Labit janë përdorur edhe prova të tjera, si biseda telefonike.

Sipas prokurorisë, ish-drejtori Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto ka favorizuar 4 kompanitë konkuruese në tender. Për ti shpallur ato fituese të tenderit të ushqimeve, dyshohet se u ka kërkuar 20 % të vlerës totale të tenderit. Por meqenëse përfaqësuesit e kompanive nuk kishin rënë dakord për këtë shumë ka angazhuar Iljaz Labin. Ky i fundit ka pretenduar se ka qenë në rolin e ndëmjetësit dhe pas shumë bisedave kishte arritur të bindë ish-drejtorin që ti shpallë fituese këto 4 kompani kundrejt shumës prej 10 % të tenderit.

Shumë, që sipas Labit, ia ka dorëzuar ish-drejtorit Zoto ditën e nënshkrimit të kontratës. Ndërsa vet ish-zv/drejtori i burgjeve Ilijaz Labi ka pretenduar se ka fituar 2 % të shumës së tenderit për ndërmjetësimin mes Zotos dhe kompanive fituese të tenderit.

Gjykata, pasi dëgjoi palët vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë ditën e arrestimit për ish-drejtorin Artur Zoto. Avokati, në dalje të gjykatës nuk pranoi të komentojë vendimin, por tha se do të ankimojë çështjen në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda./ABC