Emisioni “Fiks Fare” solli këtë të hënë investigimin më të fundit që ka të bëjë me disa studio që punësojnë vajza të cilat flasin në internet me klientë të huaj, ku këta të fundit u kërkojnë favore seksuale.
Studiot punojnë në fshehtësi, nëpër apartamente në lagje të ndryshme të Tiranës. Nuk kanë emër, nuk janë të regjistruara. Gjithçka kryhet nëpërmjet monitorit të kompjuterit. Ndodh që pronarët u japin nga një laptop vajzave të punësuara për të punuar në shtëpi e në këtë mënyrë u shmangen kontrolleve të policisë në banesa .
Për të filluar këtë punë, e cila paguhet mirë, mjafton një linjë interneti dheaksesi në këtë linjë. Vajzat paguhen me kredite d.m.th. sa më shumë të mbajnë klientin në linjë, aq më shumë paguhen.
“Fiks Fare” solli rastin e tre studiove të tilla që punojnë në kryeqytet. Gazetarët e emisionit u nisën nga ankesat e banorëve të një pallati pranë ambulancës së specialiteteve në kryeqytet. Ata ankoheshin se vazhdimisht dëgjojnë zhurma të pazakonta nga një apartament ku shohin që të hyjnë vetëm vajza.
Gazetarja e u paraqit në këtë studio për të kërkuar punë në një Call Center. Pronarja e studios nervozohet dhe kërkon me këmbëngulje të dijë se kush është personi që e ka adresuar në atë shtëpi gazetaren e prezantuar si studente që kërkonte punë. Por në fund të bisedës i merr numrin e telefonit gazetares.
Pasi gazetarja e “Fiks fare” largohet nga kjo studio, në telefon i mbërrin një mesazh nga një vajzë, e cila i bën një ofertë pune në emër të një studioje tjetër chati. Menaxherja vjen dhe prezantohet me gazetaren në një lokal në zonën e “21 Dhjetorit” në kryeqytet.
Ajo tregon se numrin e telefonit ia ka dhënë pronarja e studios së parë ku është prezantuar gazetarja. Madje tregon se është një studio që ka të punësuara me turne 7 vajza, të cilat bëjnë këtë punë, prostitucionin virtual. Ajo tregon se është duke rekrutuar vajza që duan të punojnë në këtë lloj chati. Që të punësohesh pranë këtyre studiove, tregon se duhet të kesh njohuri të gjuhës angleze, pasi kompania mëmë me të cilën janë të lidhua ndodhet në Angli .
Madje pranon se janë të paregjistruar në Shqipëri dhe punojnë në mënyrë ilegale, pasi sipas saj, taksat i paguajnë në Angli. “Është një lloj chati me klientë të huaj, biseda në anglisht. Në bazë të krediteve që fiton, paguhesh. D.m.th. sa më shumë minuta ta mbash klientin në linjën tënde, aq më shumë paguhesh”, thotë ajo.
Ambienti ku ato punojnë është një garsonierë e marrë me qira në një kompleks të ri pallatesh pranë Qytetit Studenti në Tiranë Nëse arrin të punësohesh, paguhesh me kredite, merr 25 % të krediteve, ku çdo kredit është i barabartë me një minutë në linjë dhe çdo minutë paguhet.
“Ka vajza që arrijnë të fitojnë edhe 18 mijë lekë të reja në natë, madje edhe 200 mijë lekë të reja, varet sa gjatë e mban klientin në linjë”, thotë ajo. Menaxherja e siguron gazetaren se paga e saj mujore mund të shkojë 80 mijë lekë të reja në muaj. Pas këtij takimi në kafene, gazetarja shkon të shikojë vendin e punës. Në këtë studio në momentin kur gazetarja ka hyrë, mungonte lidhja e internetit.
Menaxherja, e cila punon edhe ajo në studion e saj, ka një pseudonim “Megi”. I tregon mjetet e punës, të cilat janë disa lodra seksuale dhe veshje të brendshme. Ajo e njeh gazetaren me programin që përdorin në kompjuter dhe pohon se është prostitucion virtual dhe se askush nuk i kap kur punojnë neper këto shtëpi te marra me qira.
Studioja e tretë ndodhet në një apartament në zonën e njohur si “Astiri” në Unazën e Re në Tiranë. Edhe në këtë studio gazetarja takohet me menaxheren. Është një vajzë 20-vjeçare që e ka filluar këtë punë që në moshën 18-vjeçe. Ajo tregon studion, e cila ka pesë kompjuterë me ueb-kamera dhe të brendshme femrash. Sipas saj, pronari i kësaj qendre ka një dyqan kompjuterësh, ka 8 vjet që bën këtë punë dhe është personi i dytë në Shqipëri që ka hapur një studio të tillë.
Menaxherja i rekomandon gazetares së prezantuar si vajzë që kërkonte punë, që të mos jepte identitetin e vërtetë, pasaportën në momentin kur kërkon punë në këto studio, pasi më pas kur mund të duash të largohesh pronarët e studiove nuk të lejojnë, duke të bërë shantazh. Gjatë rrëfimit të saj tregon se kishte rënë në depresion për një periudhë 3-mujore gjatë këtyre dy vjetëve, madje kishte tentuar të vriste edhe veten.
Një tjetër studio, tregon vajza, është një që ndodhet tek “Komuna e Parisit”, që e quan si “studio ndëshkimi”. Atje vajzat që punojnë i detyrojnë të kryejnë veprime perverse dhe të dhimbshme.