Site icon Telegrafi

Ja shteti i parë që do të përdorë paranë elektronike

Sistemi elektronik i parave do të fillojë të aplikohet në Ekuador që prej këtij muaji. Aktualisht, në Botë, ekzistojnë vende të tjera që përdorin monedhën digjitale për transaksione, por në këto raste ajo nuk lëshohet nga shteti.

Ashtu si vende të tjera të Amerikës Jugore, sistemi monetar në Ekuador është i bazuar te dollari amerikan. Edhe pse qeveria e vendit deklaron se skema e re nuk ka për qëllim të zëvendësojë dollarin, faktet tregojnë se po kërkon pikërisht diçka të tillë, monopolin mbi këtë sistem.

Ligji ekuadorian në mënyrë eksplicite thekson se transaksionet monetare kryhen në dollarë amerikanë. Një prej zyrtarëve në vend shprehet se paratë elektronike, jo vetëm do ti vijnë në ndihmë shtresës më të varfër të popullsisë, por do të shërbejnë edhe si një mekanizëm efikas kursimi për qeverinë. Analistët shprehen se plani më i ri për paratë elektronike nuk ka asnjë qëllim tjetër veç zhbërjes së dollarizimit.

Diçka të tillë e konfirmon jo vetëm kjo skemë, por edhe vendimi i qeverisë ekuadoriane 5 muaj më parë për të ndaluar përdorimin e bitcoin. Monedha digjitale, do t`i mundësonte me pak fjalë, Bankës Qendrore në vend, të lëshonte një monedhë tjetër, e cila nuk është e lidhur me rezervat në monedhën amerikane. Ekspertët shprehen se është mjaft e vështirë të marrësh monopolin mbi paranë nëpërmjet lëshimit të një monedhe të re, pa shkatërruar ekonominë e vendit, raporton Telegrafi.

Pagesa nëpërmjet këtij sistemi do të mundësohet me anë të telefonave celularë. Qeveria pret që brenda fundit të këtij viti, 500.000 persona të bëhen pjesë e skemës. Sistemi elektronik i parave nuk kërkon akces në internet apo në një llogari bankare, si dhe mund të konvertohet në para fizike në çdo moment, citon Banka Qendrore e vendit nëpërmjet një deklarate. /Telegrafi/

Exit mobile version