Site icon Telegrafi

UP-ja shënon ngritje në Webometrics – renditet në vendin e 1471-të në botë

Në përditësimin e fundit të publikuar nga ranglista prestigjioze e rangimit të universiteteve botërore, Webometrics, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar ngritje, duke u ranguar në vendin e 1471-të në botë.

Në njoftimin e UP-së thuhet se në edicionin e janarit të këtij viti, Webometrics pasqyron ngritjen e UP-së për 1662 pozita më lartë, që nga viti 2018, kur UP-ja zinte vendin e 3133-të në botë në mesin e rreth 30.000 universiteteve të ranguara.

Bazuar në publikimin e Webometrics, UP-ja rangohet në vendin e 565-të në Evropë, ndërkaq del në vendin e tetë në rangimin e universiteteve në rajon, duke lënë prapa vetes universitetet e Nishit, Sarajevës, Shkupit, Tiranës, etj.

UP-ja, sipas rezultateve të Webometrics, vazhdon të jetë lider i arsimit të lartë në hapësirën shqipfolëse.

Për rektorin e UP-së, Marjan Dema, ngritja e UP-së paraqet lajmin më pozitiv për arsimin e lartë.

Sipas tij “UP-ja po vazhdon fuqishëm ta përmirësojë rangimin botëror të tij, me çka po përfaqëson me dinjitet edhe Kosovën, kudo në botë”.

“Shumë profesorë tanë kanë punuar jashtëzakonisht shumë që t’i kontribuojnë hulumtimit në disiplinat e tyre akademike, gjë e cila shpërfaq aftësitë dhe dedikimin e tyre për Universitetin, mund i cili rezultoi me një sukses të tillë për UP-në dhe vendin tonë”, tha Dema.

Në njoftim thuhet se progresi i UP-së në këtë drejtim është edhe si rezultat i punës së Zyrës për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara, e themeluar në vitin 2018, e cila ka si objektiv mbështetjen e kërkimit dhe financimin e projekteve të stafit akademik. “UP-ja në këtë drejtim është përkrahur edhe nga partnerë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatë.

Webometrics është një prej rangimeve më të rëndësishme botërore, i zhvilluar nën patronatin e Këshillit të Lartë të Kërkimit Shkencor (Consejo Superior de Investigaciones Cientificas – CSIS), me qendër në Madrid, njësi e Ministrisë së Edukimit të Spanjës.

Cybermetrics është një ranglistë jofitimprurëse e cila “nuk pranon pagesa për përfshirje në rangim, as edhe oferta për reklamim të ndonjë universiteti”.

Exit mobile version