Përfaqësuesja speciale e zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, e cila është paraqitur para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane, në lidhje me murin i cili po ndërtohet ne veri te Mitrovicës, ka thënë që ky nuk është projekt i BE-së.
“Projekt i Bashkimit Evropian është vetëm rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër, ndërsa muri që është ndërtuar pak metra më tutje është projekt tjetër, nuk është projekt i BE-së”, ka thënë zyrtarja e BE-së, njofton Klan Kosova.
Sipas Apostolovas, BE-ja nuk dëshiron të sheh mure dhe se nuk është për të ndërtuar mure por ura komunikimi.
Ajo ka shtuar se BE-ja nuk mund të gjejë zgjidhje për këtë problem, por kjo çështje duhet të zgjidhet përmes negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ajo është shprehur e bindur se do të gjendet një zgjidhje për këtë problem, të cilin e ka cilësuar si problem shumë të ndjeshëm.