Telegrafi

Ja sa paguhen ish-deputetët!

Ish deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët nuk janë më pjesë e legjislativit aktual, po i kushtojnë buxhetit të vendit hiç më pak së 316 mijë e 951 euro. Këtë e ka konfirmuar sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.

“Shuma e pagave për deputetë pasivë nga 1 janari deri më 7 maj është 316.951 euro, për 48 deputetë pasivë”, ka thënë Krasniqi.

Barrë e rëndë për buxhetin e vendit janë edhe deputetët aktualë.

Edhe pse ishin certifikuar shtatë muaj më parë si deputet, ata i kanë kushtuar rreth 400 mijë euro buxheti, vetëm 22 ditë pune.

Pavarësisht kësaj, deputetët e Kuvendit nuk i ka penguar që prapë të shkojnë në pushim dimëror duke lënë shumë projektligje të pa miratuara.

E ky pushim, sipas njohëseve të çështjeve politike, po vlerësohet i pamerituar.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri ka thënë për Gazetën Tribuna se deputetët do të duhej të mos shkonin në pushim, pasi kriza politike në vend ka lënë shumë procese politike pezull.

Sipas tij, është jo e moralshme qe deputetët vetëm një muaj pasi kanë filluar punën, të shkojnë në pushim.

“Fillimisht mendoj se deputetët nuk është dashur të shkojnë në pushim. Po ashtu mendoj se këta deputetë është dashur që mjetet të cilat për gjashtë muaj i kanë marrë pa bërë asgjë, t’i ndajnë për qëllime bamirësie. Por, po shihet që këta deputet qëllimin primar e kanë përfitimin personal, e jo atë të përgjithshëm”, ka thënë Muhaxhiri.

Ndryshe, më 7 maj të vitit të kaluar, deputetët më shumicë votash votuan për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme të cilat u patën mbajtur më 8 qershor të vitit të kaluar. Një deputet merr pagë 1480 euro një muaj, pa llogaritur bonueset. /Tribuna/