Telegrafi

Ja sa mijëra euro ka fituar Feronikeli pasi është shpallur kampionë dhe sa do të fiton në LK

Feronikeli shquhet si njëri prej klubeve më stabil në futbollin kosovar. Edhe më stabil dhe më i fuqishëm do të jetë edicionin e ardhshëm, 2016/17.

Me triumfin në Kampionatin e Kosovës në futboll, skuadra nga Drenasi i ka të garantuara plot 450 mijë euro. Këto mjete, që janë më shumë se buxheti aktual i secilës skuadër në futbollin kosovar, do t’i përfitojë nga UEFA, konfederata evropiane e futbollit.

Sipas rregulloreve në fuqi, vetëm pjesëmarrja në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, shpërblehet me 200 mijë euro, shkruan Koha Ditore.

Feronikeli – nëse plotëson kriteret minimale të UEFA, që pritet t’i plotësojë – do të paraqitet në fazën e parë kualifikuese të Championsit për edicionin 2016/17. UEFA ka paraparë edhe 250 mijë euro e tjera për secilin kampion shtetëror që nuk kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Faza e grupeve vlerësohet se është e paarritshme për kampionin e Kosovës në futboll, por futbolli është sport i befasive dhe çdo gjë është e mundur.