Feronikeli shquhet si njëri prej klubeve më stabil në futbollin kosovar. Edhe më stabil dhe më i fuqishëm do të jetë edicionin e ardhshëm, 2016/17.
Me triumfin në Kampionatin e Kosovës në futboll, skuadra nga Drenasi i ka të garantuara plot 450 mijë euro. Këto mjete, që janë më shumë se buxheti aktual i secilës skuadër në futbollin kosovar, do t’i përfitojë nga UEFA, konfederata evropiane e futbollit.
Sipas rregulloreve në fuqi, vetëm pjesëmarrja në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, shpërblehet me 200 mijë euro, shkruan Koha Ditore.
Feronikeli – nëse plotëson kriteret minimale të UEFA, që pritet t’i plotësojë – do të paraqitet në fazën e parë kualifikuese të Championsit për edicionin 2016/17. UEFA ka paraparë edhe 250 mijë euro e tjera për secilin kampion shtetëror që nuk kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Faza e grupeve vlerësohet se është e paarritshme për kampionin e Kosovës në futboll, por futbolli është sport i befasive dhe çdo gjë është e mundur.