Në seancën e radhës për ”Grupin e Kumanovës” ka dëshmuar Zoran Stanojkovski, komandant i stacionit policor të Pelincës dhe disa banorë të kësaj lagjeje, transmeton Telegrafi.
Sipas Stanojkovskit, epror i policit të akuzuar Arsim Bajrami, për të cilin thuhet se kë dhënë ndihmë logjistike për grupie e armatosur, Bajrami ka kërkuar pushim mjekësor, por ka marrë urdhër të prerë nga eprorët që të paraqitet në stacionin në Kumanovë, ku menjëherë është arrestuar.
Në përballjen me Arsim Bajramin, Stanojkovski pranoi se nuk ka qenë i informuar për marrjen e Bajramit në pyetje pa praninë e tij, se është bastisur makina e bashkëshortes së tij, dhe se familja e tij nuk është informuar se është i arrestuar.
Dëshminë e tyre e dhanë edhe dy dëshmitarë, banorë të Lagjes së Trimave, të cilët treguan se gratë dhe fëmijët e tyre, si dhe banorët më të moshuar janë evakuuar më 8 maj, disa orë para aksionit të policisë. Familja e dëshmitarit Afrim Tairi ka ikur nga shtëpia pas mesnate, meqë bashkëshortja e tij ka dëgjuar se do të ketë aksion policor në këtë Lagje për drogë. Askush nga banorët lokal që kanë mbetur në Lagjen e Trimave nuk ka parë se kush ka shtënë dhe prej ku.
Ndryshe në sallë sërish munguan familjarët e të akuzuarve, kurse tre avokatët të cilët javën e kaluar u dënuan me nga 1200 euro gjobë për shkak se e braktisën gjykimin, janë ankuar dhe presin që t’u tërhiqen dënimet, ndërkaq seanca e radhës do të mbahet të enjten me dëshmitarë të rinjë./Telegrafi/