Site icon Telegrafi

Ja pse u shkarkua Gjelosh Vataj nga ujësjellësi?

Bordi i Drejtorëve i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka sqaruar vendimin për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Gjelosh Vataj.
Sipas arsyetimit të këtij vendimi, Vataj kishte udhëtuar jashtë shtetit, konkretisht SHBA, ku do të qëndrojë tri javë, pa marrë aprovimin dhe lejen nga Bordi i Drejtorëve, që përbën shkelje të Ligjit të ndërmarrjeve publike.

Ai po ashtu nuk ka lënë një person tjetër përgjegjës për të ushtruar detyrën e tij. “ Vatajt i ishte tërhequr vërejtja për devijimet dhe shkeljet ligjore dhe se me veprimet e tij po acaronte raportet me institucionet shtetërore dhe komunale. Po ashtu ai nuk është treguar transparent në punët e tij, në veçanti rreth rrjedhës së punimeve dhe investimeve të mëdha, që po bëhen në Fabrikën e ujit në Shkabaj. Në komunikatë shtohet se Bordi i Drejtorëve ka evidencuar edhe një varg shkeljesh të tjera nga ana e z.Vataj dhe prandaj ka vendosur ta shkarkojë nga detyra që ushtronte”.

Për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv Gjelosh Vataj, sipas komunikatës, më 14 gusht kanë votuar dy anëtarë të Bordit, ndërsa një ka qenë kundër.
Bordi i Drejtorëve ka emëruar Selatin Rekocerin ushtrues detyre të kryeshefit deri në zgjedhjen e kryeshefit me procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Exit mobile version