Zëdhënësja e shefes për Politika të Jashtme të BE-së, Maja Kocijancic ka thënë se BE-ja në mënyrë konstante kërkon që marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit të zbatohen në tërësi.
“Çdo sugjerim se marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit po korrigjohen është jashtë realitetit dhe një pjesëz e fabrikuar e keqinformimit”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve Beta, transmeton KosovaPress.
Kocijancic është pyetur rreth qëndrimit të BE-së lidhur me deklaratën e drejtorit të Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq se Serbia do ta konsideronte ndërrimin e marrëveshjeve Prishtinë-Beograd, në mënyrë të njëanshme, si tërësisht të papranueshme.
Gjuriqi ka dhënë këtë deklaratë si reagim ndaj një deklarate të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini rreth Asociacionit të Komunave Serbe, derisa qëndroi në Kosovë.
Ajo për këtë marrëveshje tha se “Asociacioni nuk do të jetë një strukturë paralele qeveritare, e as që do ta vë në mëdyshje integritetin territorial të Kosovës”.