Ferid Agani, ish-ministër i Shëndetësisë dhe aktualisht ministër i Mjedisit, dhe Gani Shabani, sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, do të dalin para gjykatës pasi ata tashmë edhe zyrtarisht akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin mbi 4.5 milionë euro.
Prokuroria e Shtetit, dje ka njoftuar se pos ministrit Agani dhe sekretarit Shabani, në aktakuzën e ngritur ka përfshirë 60 persona fizikë dhe 4 persona juridikë. Shumica prej tyre punonjës shëndetësorë.
Në një pjesë të aktakuzës shihet në detaje se si mjekët kanë maltretuar pacientët dhe kanë marr ryshfet para të majme.
Në këtë aktakuzë tregohet po ashtu se mjekët për secilin pacientë që ka vendosur një stentë kanë përfituar ryshfet 500 euro, derisa nëse ata vetëm janë kontrolluar dhe nuk kanë vendosur stentë kanë marrë 150 euro.
Në pjesët e aktakuzës që posedon Gazeta Fjala shihet se mjeku Gani Bajraktari ka marr si ryshfet mbi 21 mijë euro, Elefedin Muhaxhiri 7 mijë e 850 euro, Nexhmi Zeqiri 4 mijë e 750 euro, Ejup Pllana 3 mijë e 450 euro dhe shumë të tjerë në shuma nga 3 mijë e deri në 150 euro.
Në këtë aktakuzë tregohet gjithashtu se mjekët në disa raste kanë trajtuar në mënyrë të papërgjegjshme pacientët, duke u shkaktuar infeksione dhe më pas disa nga ta edhe kanë ndërruar jetë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se nga data 01 janar 2011 e deri me datën 31 dhjetor 2015 duke vepruar si persona juridik , kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, duke përdorur haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit dhe me këtë rast kanë shkaktuar keqësimin e gjendjes shëndetësore dhe për një numër të personave edhe vdekjen e tyre”, thuhet në aktakuzë.
Këto vdekje të këtyre personave sipas aktakuzës nuk janë përcjellur me obduksion edhe pse ligjet në fuqi për shëndetësi e parashohin një gjë të tillë.
Konstatimi i shkakut të vdekjes së personit i cili ka vdekur në institucionin shëndetësor dhe në rastet kur qytetari ka vdekur në institucionin shëndetësor të tipit spitalor, brenda 72 orëve nga pranimi, obduksioni është i detyrueshëm”, thotë është ligji i cekur në aktakuzë. /Gazeta Fjala/