Ajriz Zeqiri kishte shokuar opinionin publik në Kosovë, kur në një intervistë publike për media kishte kërkuar një donator për shitjen e njërës veshkë të tij. Me 30 mijë euro sa kërkonte, Zeqiri asokohe planifikonte të paguante një pjesë të shërbimit mjekësor në Turqi.
Tre muaj pas bërjes publike të ofertës së tij, sipas transkriptit zyrtar që përshkruan deklaratën e Zeqirit dhënë Policisë së Kosovës, ishte lajmëruar Adem Salihaj, atë kohë kryetar i LDD-së në Ferizaj, kurse sot deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Salihaj nuk ishte shumë i interesuar për veshkën e tij, por për diçka krejt tjetër.
Sipas deklaratës zyrtare që Zeqiri kishte deponuar në Policinë e Kosovës, të cilën e ka siguruar Republika.info, Adem Salihaj i kishte ofruar atij 45 mijë euro, por me një kusht.
“Ai më tha se do të mi jepte 15 mijë euro më shumë, pra 45 mijë euro, nëse jap një deklaratë të shkruar dhe nënshkruar nga unë dhe të incizohet një CD me zërin tim”, thuhet në deklaratën e Ajriz Zeqirit dhënë Policisë së Kosovës.
Sipas raportit të Shërbimit Policor të Kosovës, Zeqiri kishte kërkuar sqarime nga Adem Salihaj se çfarë duhej të përmbante kjo deklaratë.
“Më pas më sqarojë, se dëshiron që unë të jap një deklaratë, ku unë them se jam paguar për ta vrarë atë (Adem Salihu)”, thuhet në deklaratën e Zeqirit, të arkivuar në polici më 15 dhjetor 2009, transmeton Republika.info.
Më tej, sipas tij, Adem Salihaj e kishte pyetur nëse kishte dëgjuar ndonjëherë për Azem Sylën, për të cilin Zeqiri i thotë se asnjëherë nuk kishte dëgjuar.
Ajriz Zeqiri, i cili ishte në kushte të rënda ekonomike e kishte menduar gjatë ofertën gjeneroze të Adem Salihajt, por në fund e kishte refuzuar.
“Më vonë i kam thënë Ademit se nuk dëshiroj të bëjë një deklaratë të tillë. Ademi më tha që ai po më jep një shans shumë të mirë dhe nëse pajtohem, unë mund ta kontaktojë atë çdoherë, madje dhe në zyrat e LDD-së në Ferizaj”, thuhet në deklaratën zyrtare të Ajriz Zeqirit.
Më pas, sipas përshkrimit, Zeqiri ishte frikësuar që rastin ta denoncojë në stacionin policor në Ferizaj, nga frika se Salihaj mund të ketë njerëz të vet aty. Megjithatë, pas sugjerimit të një oficeri gjerman kishte shkuar në Policinë e Kosovës për të raportuar rastin.
Transkripti i siguruar është në gjuhën angleze, për shkak se asokohe dokumentet janë përkthyer në anglisht për UNMIK-un, kurse emrat e oficerëve policor që e kishin intervistuar janë mbuluar qëllimisht nga Republika.info.
Ndryshe, asokohe deputetët e LDD-së, Adem Salihaj dhe Gani Geci, si prodhues të CD-ve me dëshmi të ngjashme ishin bërë famshëm edhe me incizimet e Nazim Bllacës, për të cilin Republika.info këto ditë ka publikuar dokumente që dëshmojnë bashkëpunimin dhe koordinimin e tij me Dragoljub Stankoviqin, zëvendësprokuror për krime lufte në Serbi. /Republika.info/