Site icon Telegrafi

Ja e vërteta për kredinë e “Trafikun Urban” për autobusët

Lëshimi i garancisë shtetërore për kredinë që NP “Trafiku Urban” pritet të marrë nga BERZH-i është çështje ligjore dhe nuk varet nga vullneti i askujt. Sipas Ministrisë së Financave, Sapo të plotësohen kushtet që parashihen me ligj, Qeveria obligohet ligjërisht të dërgoj në Kuvendin e Kosovës projekt-ligjin për garancionin shtetëror për këtë kredi. Për miratimin e këtij projektligji kërkohen 2/3 e votave të deputetëve dhe Kuvendi i Kosovës duhet të lejohet të votojë.

“Komuna e Prishtinës nuk është dashur të presë për kurrfarë letre që t’i tregohet se cilat janë obligimet ligjore që duhet të plotësojë në mënyrë që Qeveria të procedojë në Kuvendin e Kosovës projekt-ligjin për garancinë shtetërore për këtë kredi”, ka njoftuar MF-ja.

Pasi Komuna e Prishtinës nuk ka kryer këto obligime me kohë, është dashur të ftohet Kryetari i Komunës në takim që të qartësohen këto obligime. Në takim, Kryetari i Komunës ka kërkuar që t’i dërgojmë letër me shkrim për obligimet që kanë si komunë, të cilën gjë e kemi bërë.

“Për korrektësi, NP Trafiku Urban mund të marrë kredi edhe pa garancinë shtetërore. Por, në këtë rast norma e interesit do të ishte dukshëm më e lartë. NP Trafiku Urban përmes Komunës së Prishtinës ka kërkuar këtë garancion, dhe normalisht Qeveria kërkon përmbushjen e kushteve ligjore për të lëshuar këtë garancion. Këto kushte e sigurojnë Qeverinë që në të ardhmen, në rast se NP Trafiku Urban nuk e paguan kredinë, atëherë Qeveria i kërkon Komunës përmbushjen e këtij obligimi. Vetëm në rast se edhe Komuna nuk e kryen këtë obligim, atëherë Qeveria ndërhynë dhe kryen obligimet ndaj BERZH-it me mjetet e taksapaguesve. Prandaj, Qeveria duhet të sigurohet se janë plotësuar të gjitha kushtet për lëshimin e garancisë”, shqaron Ministria e Financave, transmeton Telegrafi.

Kushtet që duhet të plotësojë Komuna e Prishtinës:

1. Komuna e Prishtinës duhet të përcjellë tek Ministria e Financave autorizimin për drejtorin e NP Trafiku Urban të lëshuar nga Kuvendi i Komunës, si aksionar i NP Trafiku Urban. Ky autorizim i mundëson hyrjen në obligime financiare ndërmarrjes në fjalë dhe mundëson nënshkrimin e marrëveshjes për kredi nga ana e drejtorit të NP Trafiku Urban. Ministria e Financave ka dërguar dy shkresa Komunës së Prishtinës (16 shtator 2015 dhe 16 shkurt 2016), duke kërkuar ndër tjera specifikisht kopjen e autorizimit, respektivisht pas kërkesës së dytë kemi pranuar autorizimin.

2. Për ta bërë të mundshme një tarifë sa më pak të kushtueshme për ndërmarrjen, është i nevojshëm zotimi i Komunës së Prishtinës si palë garantuese e kredisë së NP Trafiku Urban. Në këtë rast Komuna do të duhej të krijonte një zë të ri buxhetor, i dizajnuar për pagimin e kredisë në rast të pamundësisë që NP Trafiku Urban të përmbush kushtet e kredisë. Nëse Komuna vendos të mos përfshihet si ndërmjetës, Neni 18, pika 3, i Ligjit të Borxheve Publike, do të ndikonte në ndryshime rrënjësore të marrëveshjes dhe do të nënkuptonte ngarkesë financiare shumë më të madhe për NP Trafiku Urban.

3. Për të përmbushur kushtin e marrëveshjes që lidhet me ndryshimin e tarifës së biletave, është e nevojshme që paraprakisht të aprovohet rregullorja për caktimin e tarifës së re të transportit publik, efektiviteti i së cilës do të lidhej me momentin e arritjes së grupit të parë të autobusëve të rinj.

Qeveria është e obliguar që të sigurojë se Komuna dhe NP Trafiku Urban do të përmbushin obligimet e veta. Në letrën e drejtuar Komunës, Ministri ka ritheksuar gatishmërinë që shumë shpejtë ta aprovojmë në Qeveri garancinë shtetërore për marrjen e kredisë nga NP Trafiku Urban, sapo Komuna të përmbushë këto kushte. /Telegrafi/

Exit mobile version