Site icon Telegrafi

Ja çka thotë Vuçiq për mundësinë e njohjes së Kosovës

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka porositur se “s’ka asgjë nga njohja e Kosovës”, duke iu referuar qëndrimit të Beogradit.

Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve shqiptarë se kur do të vijë për vizitë zyrtare në Prishtinë, ka theksuar se kjo pyetje i parashtrohet vazhdimisht, duke aluduar në atë se kur Serbia do ta njohë Kosovën.

“Kryeministri serb viziton pjesë të ndryshme të Kosovës. Do të shkojë sërish në manastirin e Graçanicës, në Fushë Kosovë, do të flas me njerëzit atje. Jam gjithmonë i gatshëm të bisedoj edhe me shqiptarët”, ka thënë Vuçiq, raporton mediumi serb B92.

Në pyetjen e gazetarëve se a do të merr pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi të premten në Prishtinë, Vuçiq tha se “nuk ka asgjë prej kësaj pune, e as që do të ketë edhe për një kohë të gjatë”, transmeton Koha.net.

I pyetur se si do të reagonte sikur pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, postin e kryeministrit ta merrte ndonjë politikan nga opozita cili do ta njihte Kosovën, Vuçiq është përgjigjur se “për këtë vetëm mund të shpresoni”.

“Ndoshta këto ëndrra edhe ju realizohen. S’kam asgjë kundër, shpresoni, ndoshta edhe mund t’ju ndodh juve kjo, por nuk do të mbështetesha shumë në”, ka porositur Vuçiq, transmeton Koha.net.

Më tej, kryeministri Vuçiq, njëherësh kryetar i Partisë Progresive serbe (SNS), ka thënë se gjithçka nën 50 për qind të votave nga serbët e Kosovës për Listën e përbashkët të Partisë së tij, do ta konsideronte mossukses.

“Gjithçka që do të ishte nën 50 për qind të votave për Listën të cilën po e udhëheq unë në Kosovë, mendoj se do të ishte mossukses i madh”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Ai më herët ka vizituar minatorët e Trepçës në Leposaviq, pastaj banorët e Zveçanit, ndërsa gjatë kohës kur po raportojmë është duke inauguruar Qendrën e re të onkologjisë në veri të Mitrovicës.

Mësohet se pas veriut të Mitrovicës, Vuçiq nën masa të rrepta të sigurisë do të vizitojë edhe komunën e Zubin Potokut.

Exit mobile version