Telegrafi

Ja cilët profesione janë më të kërkuara në Maqedoni

Për momentin e dhënë ka mbi 8.000 vende të lira në tregun e punës, tregojnë të dhënat e Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë. Shumica e tyre janë në industrinë e përpunimit, tregti, ndërtimtari, hoteleri dhe veprimtaritë financiare, si dhe në industrinë për teknologji informatike, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Kompanitë thonë se është gjithnjë e më vështirë të gjendet kuadër i kualifikuar dhe profesional. Më vështirë gjinden saldatorë, fonditorë dhe zanatlinjtë tjerë, të cilët gjithnjë e më tepër mungojnë në tregun e punës. Deficitarë janë inxhinierët, sidomos ata të ndërtimtarisë, që së bashku me programuesit dhe punonjësit në industrinë e financave mbeten të kërkuar.

Punëdhënësit thonë – punë ka. Nga ata me arsim sipëror kërkojnë: programues, inxhinierë të informatikës, inxhinierë të ndërtimtarisë, arkitektë, inxhinierë të makinerisë, elektro-inxhinier, teknologë, farmacistë.

Nga personat me arsim të mesëm apo të lartë kërkohen: komercialistë, teknik, infermiere, administratorë, fonditorë dhe të ngjashme.

Arsimi i mesëm profesional nga ana tjetër duhet të prodhojë rrobaqepëse, bravapunues, marangoz, saldator, teneqepunues, më tepër profile të punonjësve të ndërtimit, montues, automekanik, elektro-instalues, përpunues të pemëve dhe të perimeve për nevojat e industrisë së përpunimit.

Kohëve të fundit më tepër kompani janë në kërkim të shitësve adekuat, të trajnuar dhe të gatshëm për të dalë në treg. Pastaj, në veprimtarinë e hotelerisë kërkohen kamerierët dhe kuzhinierët. Nga kuadrot me arsim sipëror, inxhinierët janë shumë të kërkuar, sidomos inxhinierët e licencuar ndërtimor. Inxhinierët e makinerisë, po ashtu janë të kërkuar në treg, në pjesën e mbikëqyrjes, si projektues dhe realizues, thotë drejtori i Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë, Vllatko Popovski. /Telegrafi/