Mentor Kikia
Një nga pyetjet e studentëve të gazetarisë këtë sezon ishte të gjenin një titull për lajmet në gazetë dhe në media online (portal).
Historia ishte një ngjarje reale, fliste për shkatërrimin e një grupi që organizonte prostitucion në Tiranë.
Shumica kishin bërë tituj të tillë si: Prostitutat e luksit. Ja sa para duhen për një natë seks…
Po sa? – e pyeta!
Aha, po e thashë në titull unë, se klikon më njeri.
Kishin të drejtë. Në të gjitha mediat online, apo edhe të printuara, titujt e lajmeve gjithnjë e më shumë po “misterizohen”, në emër të joshjes së lexuesve të klikojnë lajmet. Ndaj po sugjeroj ca tituj të gatshëm.
• Shpërthen deputeti. Ja çfarë i thotë kryetarit…
• Thyhet rrjeti. Ja çfarë ka veshur këngëtarja…
• Çmenden fansat. Ja çfarë i ka bërë gjoksit ylli i skenës…
• Burri kap gruan me dashnorin. Ja ku e kishte futur kokën…
• Dënohet prostituta. Ju kush ishin klientët e mi…
• Rrëfehet i penduari. Ja sa para i dhashë ministrit…
• Deputeti me dashnore: Shikojeni kush është…(edhe pse ai mund të jetë në Irlandë)
• Ministri me makinë të re. Ja sa i kushton vetëm pasqyra…
• Ja çfarë thotë këngëtari për tradhtinë e ish gruas…(edhe pse ai mund të thotë: për këtë temë nuk dua të flas).
Nëse ndonjë ditë nuk do të keni ndonjë shkrim të denjë për të hapur gazetën, mund të vendosi këtë titull: Doni të dini çfarë lajmesh kemi sot? Hapeni gazetën po deshët.