Telegrafi

Ja çfarë moti do të kemi gjatë javës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga dita e hënë deri të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe kalim vranësirash të lehta. Ndërsa, nga dita e enjte, e në disa vende edhe të mërkurën, vendi do të ndikohet nga vranësirat e dendura.

Në një njoftim për media, nga IHMK bëjnë të ditur se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 26-28 gradë celsius.

“Do të fryjë erë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi 1-5m/s. Vranësirat do të jenë të paqëndrueshme dhe vende-vende do të shoqërohen me riga lokale të shiut, të cilat me perioda do të vazhdojnë edhe ditën e premte. Temperaturat maksimale do të shënojnë ulje të lehta, nga 23-25 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-7m/s”, thuhet në njoftim.