Telegrafi

Ja çfarë leje lëshon Komuna e Shpend Ahmetit

M.G. nga Prishtina nuk ka pritur shumë për të marrë fletëpagesat për regjistrimin e veturës së tij, në Qendrën e Regjistrimit të “Qafa” në Prishtinë.

Por, ai është ndjerë në siklet në dalje të këtij institucioni, kur dy vajza të prezantuara si punëtore të Institucionit Financiar “MONETA-Money Gram-it”, e kanë ndalur atë, duke tentuar ta bindin që pagesat për regjistrimin e automjetit t’i kryejë në këtë institucion financiar që gjendet përball Qendrës së Regjistrimeve.

“Isha i habitur kur papritur një vajzë më kapi për krahu dhe në një mënyrë tentoi të me detyronte që pagesat për regjistrimin e veturës t’i kryejë në Institucionit Financiar “MONETA-Money Gram-it”. Jam ndjerë në siklet, pasi që u frikësova se ndokush mund të keqkuptojë që unë si i moshuar të jem në krahun e një vajze të re”, ka rrëfyer M.G.

Ai ka treguar se sjellja e këtyre vajzave e kanë detyruar atë që të shkojë në një qendër me larg për ta bërë pagesën. “Natyrisht që refuzova ta kryejë pagesën aty ku më drejtoj ajo vajzë”, ka thënë M.G, person i njohur për redaksinë.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që ta ndalin një dukuri të tillë, pasi që sipas tij, veprimet e tilla në hyrje të këtij institucioni po e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Me një situatë të ngjashme përballet pothuajse çdo person që del nga ky institucion dhe mbanë në duar ndonjë dokument. Edhe pse qytetarët po e vlerësojnë si pengesë një mënyrë të tillë të promocionit para institucioneve publike, madje duke penguar edhe lirinë e lëvizjes, një veprim i tillë nuk po shihet problem për Komunën e Prishtinës.

Me herët pas disa ankesave të qytetarëve, inspekcioni i Komunës kishte ndërhyrë, duke i larguar këto vajzat që bënin promocion para objektit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Njëherësh rreth kësaj dukurie, sipas informatave që posedon ORAinfo kishte reagime dhe nga ana e zyrtareve te Ministrisë së Punëve te Brendshme si dhe institucioneve tjera financiare që afarojnë në afërsi.

Por kthimi i tyre ishte bërë pas disa ditësh, me një urdhër nga lartë, e siç merr vesh ORAinfo, bëhet fjalë për një vendim të nxjerrë nga Drejtori i Shërbimeve Publike, Ardian Gashi.

Ky i fundit nuk ka dashur të thotë as edhe një fjalë për vendimin e tij, e as për mënyrën sesi vajzat e “MONETA-Mony-Gram-it” që po bëjnë promocion para hyrjes në Qendrën e Regjistrimeve duke i detyruar qytetarët që të bëjnë pagesat në institucionin e tyre.

“Ju lutem për këtë çështje kërkoni përgjigje nga zyra për marrëdhënie me mediat në Komunën e Prishtinës”, ka qenë përgjigja e vetme e Gashit. Përgjigje të shkurtë duke refuzuar te jap detaje, ka kthyer Komuna e Prishtinës.

Zëdhënësja e kësaj komune, Miranda Mollafazliu ka thënë për ORAinfo, se Komuna e Prishtinës e ka një rregullore e cila precizon lejimin e promocionit nëpër kryeqytet. Sipas saj, për promocion statik duhet të kërkohet leje nga komuna.

Ndërsa nuk ka dhënë përgjigje nëse një leje të tillë për promocion statik, posedojnë edhe punëtorët e Institucionit Financiar “MONETA-Money Gram-it”.

“Lejohet promocioni në lëvizje, por për promocionin statik kërkohet leje. Dhe sipas Rregullores së Komunës, promocioni lejohet në ato raste kur nuk cenohet lëvizja e lirë e qytetarëve, nuk cenohen të drejtat e njeriut dhe liritë fetare”, ka thënë Mollafazliu.

Ajo ka thënë se nuk është në dijeni për veprimtarin e punëtorëve të Institucionit Financiar “MONETA-Money Gram-it”, duke kërkuar që për këtë çështje informacione shtesë të kërkohen nga drejtori për Shërbime Komunale, Ardian Gashi.

Por pavarësisht përpjekjeve për të marrë përgjigje nga Ardian Gashi, kontakti me të ka qenë i pamundur. /ORAinfo/Telegrafi/