Ish-ministrat dhe zëvendës ministrat e BDI-së, do të vazhdojnë aktivitetet e tyre politike dhe një pjesë e tyre angazhimet profesionale. Tv Shenja kërkoi qëndrim nga të gjithë të çdonjëri, se cili do të jetë angazhimi tyre politik dhe profesional, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Ish-zv. kryeministri i angazhuar për implementimin e MO-së, Musa Xhaferi, emri i të cilit ditëve të fundit ishte ndër më të përmendurt falë skandalit telefonik me deputeten bashkëpartiake Ermira Mehmeti, fillimisht kërkoi mirëkuptim për prononcim më të vonshëm për shkak të një takimi, mirëpo më pas nuk ishte i kapshëm për prononcim. Mësohet se të njëjtit i është pranuar kërkesa për apanazhë 12 mujore nga Kuvendi i Maqedonisë dhe se i njëjti nuk mund të riemërohet në ndonjë institucion shtetërorë.
Ish-zv. kryeministri për çështje europiane, Fatmir Besimi nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarit se cili do të jetë angazhimi i tij, politik dhe profesional. Edhe Besimit njëjtë si kolegut tij të lartë përmendur i është pranuar kërkesa për apanazhë nga Kuvendi dhe nuk mund të angazhohet ose riemërohet në post shtetëror.
Ish-ministri i arsimit Abdilaqim Ademi, do të vazhdojë angazhimin si sekretarë i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim. I njëjti nga Kuvendi ka kërkuar apanazhë 12 mujore dhe i është miratuar.
Ish-ministri i drejtësisë, Adnan Jashari nga sot angazhimin e tij do ta vazhdojë profesionalisht, si ligjerues në Universitetin e Europës juglindore si dhe në Universitetin e Prishtinës. Jashari nuk ka bërë kërkesë për apanazhë 12 mujore.
Ish-ministri i ekonomisë Bekim Neziri, angazhimin politik do ta vazhdojë si shef i shtabit zgjedhore, ndërkohë që do të kthehet në vendin e mëhershëm të punës, kontrollues i trafikut ajror.
Ish-ministri i ambientit jetësorë dhe planifikimit hapësinorë, Nurhan Izairi fillimisht aktivitetin e tij do ta vazhdojë profesionalisht si arkitekt por edhe angazhimin politik në shtabin dhe organet partike, në lëminë për të cilën ishte angazhuar deri në dorëheqjen e tij nga posti i ministrit.
Ish-ministri i vetëqeverisjes lokale, Lirim Shabani do të kthehet në vendin e tij të mëparshëm të punës, konkretisht Këshilltarë shtetëror në Qeverinë e Maqedonisë. Angazhimin e tij politik do ta vazhdojë në shtabin zgjedhorë në nivel qendror.
Ish-zv. ministri për financa Ardian Xheladini, aktivitetin e tij do ta vazhdojë politikisht në shtabin zgjedhorë. Edhe Ardian Xheladini nga Kuvendi ka kërkuar apanazhë dhe i është miratuar.
Nga ana tjetër, ish-zv. ministri i brendshëm Zimri Qamili, informoi se momentalisht nuk ka plane për angazhim profesional në policinë e Maqedonisë, por as edhe angazhim politik.
Ndërkohë ish-zv. ministri i transportit dhe lidhjeve Nimetulla Halimi, angazhimin e tij do ta vazhdojë në sektorin privat. I njëjti është Inzhinier i ndërtimtarisë me titull magjistër. Ka kërkuan apanazhë dhe pret miratimin e kërkesës. Ndërkaq, ish zv. ministri i mbrojtjes Ilmi Selami, nuk iu përgjigj thirrjeve dhe shkresave të gazetarit./Telegrafi/