Telegrafi

J.K. Rowling ngre padi kundër adhuruesit të saj

Në padinë kundër adhuruesit, Steven Vander Ark, i cili dëshiron të publikojë librin e përmendur si dhe shtëpisë botuese, RDR Books, të cilën Rowling ia ka dorëzuar Gjykatës në Manhattan, ajo ka vlerësuar se Ark e ka “tradhtuar” atë, sepse dëshiron të publikojë enciklopedinë e llojit të vet mbi Harry Potterin.

"Jam shumë e dëshpëruar që ish-adhuruesi im tenton të shfrytëzojë veprën time për arsye kryekëput financiare", u ka thënë gazetarëve Rowling.

Avokatët e shtëpisë botuese RDR Books kanë thënë se bëhet fjalë për një “lëvizje legjitime”, me arsyetimin se “doracaku letrar apo udhëzuesi letrar është qysh moti një zhanër i pranuar letrar, dhe se, autori me këtë lëvizje nuk i zëvendëson veprat autoriale të cilat veçmë janë të publikuara"
Vepra kontestuese, Harry Potter Lexicon, është e bazuar në të dhënat të cilat me vite të tëra, në faqet e ndryshme të internetit, i kanë shkëmbyer adhuruesit e personalitetit dhe veprave të Harry Potterit.

"Mendoj që ky veprim i botuesit RDR Books paraqet pikërisht atë kundër së cilës kam luftuar dhe të cilën kam tentuar ta parandalojë. Të gjithë adhuruesit e Harry Potterit do të mund të ndiheshin të fyer dhe të shfrytëzuar për shkak të vendimit të tyre. Njëjtë ndihem edhe unë", thuhet në sqarimin të cilin Rowling ia ka dorëzuar gjyqit.

Ajo ka thënë se ka për qëllim të publikojë enciklopedinë personale mbi Harry Potterin.