Site icon Telegrafi

Izraeli thotë se ka shumë të ngjarë të kenë vrarë një protestuese amerikano-turke në Bregun Perëndimor, pranojnë se ka ndodhur pa dashje

Ushtria izraelite ka thënë se ka “shumë të ngjarë” që forcat e saj qëlluan për vdekje një grua 26-vjeçare amerikano-turke në një protestë në Bregun Perëndimor të pushtuar javën e kaluar, edhe pse pa dashje.

Aysenur Ezgi Eygi po demonstronte në qytetin Beita, pranë Nablusit, kundër zgjerimit të vendbanimeve hebreje më 6 shtator, transmeton Telegrafi.

Raportet e mediave lokale thanë se ajo ishte qëlluar nga trupat izraelite, duke nxitur një hetim nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).

Publikimi i gjetjeve të së martës arriti në përfundimin se ishte “shumë e mundshme që ajo të ishte goditur në mënyrë indirekte dhe pa dashje nga zjarri i IDF-së, i cili nuk kishte për qëllim atë, por kishte për qëllim nxitësin kryesor të trazirave”.

“IDF shpreh keqardhjen e saj më të thellë për vdekjen e Aysenur Ezgi Eygi”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, SHBA – aleati kryesor i Izraelit – reagoi me zemërim. Sekretari i saj i Shtetit, Antony Blinken, tha se hetimi i IDF-së duket se tregonte se vdekja e Eygi ishte “e paprovokuar dhe e pajustifikuar”.

“Askush nuk duhet të qëllohet dhe të vritet për pjesëmarrje në një protestë”, u tha Blinken gazetarëve menjëherë pasi gjetjet u publikuan.

Shtëpia e Bardhë e kishte dënuar më parë vrasjen e Eygi si një “humbje tragjike”, ndërsa presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e kishte cilësuar veprimin izraelit si “barbar”. /Telegrafi/

Exit mobile version