Izraeli do të blejë flotën e tij të tretë të aeroplanëve luftarakë F-35 në një marrëveshje me vlerë 3 miliardë dollarë që do të financohet nga ndihma ushtarake amerikane, sipas ushtrisë izraelite.
Siç shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit miratoi blerjen të dielën, me 25 aeroplanë shtesë të prodhuar nga Lockheed Martin për të sjellë numrin e aeroplanëve F-35 në forcat ajrore të Izraelit në 75.
“Kjo marrëveshje e re do të sigurojë vazhdimin e bashkëpunimit midis kompanive amerikane dhe industrive të mbrojtjes izraelite në prodhimin e pjesëve të aeroplanëve”, ka thënë ministria në një deklaratë.
Izraeli ishte vendi i parë jashtë Shteteve të Bashkuara që bleu F-35 dhe mbetet i vetmi vend në Lindjen e Mesme që ka armë të avancuara në arsenalin e tij.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kërkuar prej kohësh të blejnë aeroplanë F-35 nga SHBA, por lidhjet e vendit të Gjirit me Kinën kanë bërë që asnjë marrëveshje të mos ketë përfunduar ende.
Ky lloj aeroplani luftarak konsiderohet më i avancuari në botë, i aftë për të “grumbulluar informata inteligjence”, për të goditur thellë në territorin e armikut dhe për t’u përfshirë në “duele ajrore”. /Telegrafi/