Telegrafi

Izraeli së shpejti do ta njeh pavarësinë e Kosovës

 I ftuar të marrë pjesë në Gjenevë në punimet e Forumit Ndërkombëtar të Migracionit dhe me rastin e 60-vjetorit të Konventës së UNHCR-së që po zhvillohen në Pallatin e OKB-së, zv.shefi i diplomacisë izraelite Ayalon, zhvilloi një takim edhe me përfaqësues të mediave botërore.

Pyetjes rreth relacioneve mes Jerusalemit dhe Prishtinës dhe mundësitë për gatishmërinë e qeverisë izraelite të njohë shtetin e Kosovës, Ayalon për agjencinë informative “Presheva Jonë”, është përgjigjur: “Me Kosovën kemi marrëdhënie shumë të mira, kam takuar personalitete dhe delegacione të Qeverisë së Kosovës dhe besoj se së shpejti do të vizitojë Kosovën, për zgjerimin e bashkëpunimit tonë”.

Ndërsa lidhur me njohjen e Kosovës, Ayalon ka thënë se qeveria izraelite do ta merr së shpejti edhe këtë vendim. “Për proceset në Kosovë, si dhe njohjen e saj është mjaft i angazhuar edhe komuniteti ndërkombëtar. Edhe qeveria jonë në këtë drejtim është duke negociuar dhe duke shqyrtuar mundësinë e njohjes së shtetit të ri të Kosovës, gjë që do ta bëjmë së shpejti, me siguri vitin e ardhshëm. Por me rëndësi është të theksoj se Izraeli mbështet fuqishëm Kosovën dhe popullin shqiptar”, ka thënë ndër të tjera Ayalon. /Telegrafi/