Telegrafi

Izraeli po përgatitet seriozisht për një përshkallëzim me Libanin: Trupat së shpejti do të hyjnë në veprim

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka komentuar situatën në veri të Izraelit, më saktë në kufirin me Libanin.

Në një bisedë me rezervistët e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Gallant tha se kolegët e tyre përgjatë kufirit verior së shpejti do të hyjnë në aksion.

Gallant foli me trupat e vendosura përgjatë kufirit të Gazës dhe tha se linjat në veri po përforcoheshin çdo ditë.

“Ata do të hyjnë në aksion shumë shpejt. Forcat në veri janë përforcuar. Rezervistët do të lirohen gradualisht për t’u përgatitur dhe për të qenë gati për operacionet e ardhshme”, tha ministri.

Lexo po ashtu Zyrtari i Hamasit kërkon armëpushim të plotë dhe jo të përkohshëm

Ndërkohë, shefi i ushtrisë izraelite Herzi Halevi tha në fillim të këtij muaji se gjasat për luftë në kufirin verior janë bërë shumë më të larta se sa ishte më parë.

“Mund t’ju them se gjasat që kjo të ndodhë në muajt e ardhshëm është shumë më e madhe se sa ka qenë në të kaluarën”, përfundoi Halevi.

Gjithashtu, ushtria izraelite njoftoi më herët se kreu një sërë sulmesh ajrore në pjesën jugore të Libanit.

IDF tha se ata shkatërruan një numër objektesh që i përkisnin Hezbollahut, si dhe një post vëzhgimi në jug të vendit që grupi jemenas përdorte për të monitoruar aktivitetet në Izrael.

Ndryshe, Hezbollahu mori përgjegjësinë të hënën për të paktën 12 sulme në pozicionet e ushtrisë izraelite pranë kufirit, duke përdorur raketa Falaq-1 dhe Burkan të prodhuara nga Irani. /Telegrafi/