Telegrafi

Izraeli ndërton 3000 apartamente në Bregun Perëndimor, SHBA del kundër vendimit

Izraeli miratoi sot ndërtimin e më shumë se 3,000 apartamenteve për emigrantët në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha ushtria izraelite pasi administrata amerikane kritikoi politikën.

Komiteti i Planifikimit të Administratës Civile dha dritën jeshile përfundimtare për 1800 apartamente dhe miratoi 1344 të tjera, tha një zëdhënës i organit ushtarak përgjegjës për çështjet civile në territoret e pushtuara palestineze, raporton France Presse.

Aprovimet zbatohen për vendbanimet hebraike nga veriu në jug të Bregut Perëndimor dhe u konfirmuan pasi diplomacia amerikane shprehu “shqetësimin e saj të thellë mbi planin e qeverisë izraelite”, tha zëdhënësi i diplomacisë amerikane Ned Price.

“Ne e kundërshtojmë fuqimisht zgjerimin, e cila është plotësisht në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet dhe garantuar paqen dhe dëmton perspektivat e një zgjidhjeje me dy shtete”, shtoi ai, raporton aljazeera.

Është një nga qëndrimet më të mprehta të Shteteve të Bashkuara në lidhje me vendbanimet izraelite në territoret palestineze që kur presidenti Joe Biden hyri në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti.

Në një deklaratë, presidenca palestineze dënoi lëvizjen e Izraelit për ndërtimin e banesave të reja, e cila “kërcënon më tej” një zgjidhje me dy shtete dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të kundërshtojnë masat “të njëanshme”.

Ministria izraelite e Ndërtimit shpalli të hënën një tender për 1355 apartamente të tjera për emigrantët në Bregun Perëndimor. Komiteti i Planifikimit të Administratës Civile do të mblidhet të dielën për të miratuar ndërtimin e 1301 apartamenteve në Zonën C në Bregun Perëndimor, e cila është nën kontrollin e plotë të Izraelit. /Telegrafi/