Ushtria izraelite ka paralajmëruar njerëzit që të evakuojnë komunitetet në Libanin jugor që janë jashtë një zone tampon të shpallur nga OKB-ja.
Dhe ky po shihet si një sinjal se Izraeli mund të zgjerojë një operacion tokësor të nisur në fillim të kësaj jave kundër grupit militant Hezbollah.
Ky njoftim vjen pasi një seri shpërthimesh masive u dëgjuan në kryeqytetin Bejrut në orët e para të mëngjesit të së premtes, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi për më shumë se 10 sulme ajrore të njëpasnjëshme në kryeqytet, por nuk ishte e qartë menjëherë se çfarë ishte në shënjestër ose nëse kishte viktima.
Forcat izraelite thanë se kishin goditur rreth 200 objektiva të Hezbollahut në të gjithë Libanin, duke përfshirë objektet e magazinimit të armëve dhe pikat e vëzhgimit me IDF që premton se “dëmtime të rënda” kundër Hezbollahut do të vazhdojnë.
“Forcat tona në Liban po eliminojnë gjithnjë e më shumë komandantë, gjithnjë e më shumë terroristë… Forcat tona janë gati dhe të trajnuar më shumë se kurrë, të ngarkuara me përvojë nga luftimet në Gaza dhe avantazhin e tyre në fushëbeteja është e qartë”, tha shefi i Shtabit të Izraelit, gjenerallejtënant Herzi Halevi.
Të paktën nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë në përleshjet me Hezbollahun në Libanin jugor, ku Izraeli njoftoi fillimin e, siç thotë, një inkursion të kufizuar tokësor në fillim të kësaj jave.
Luftimet vijnë ndërsa rajoni po përgatitet për përgjigjen e Izraelit ndaj një sulmi iranian të martën mbrëma, i cili pa rreth 200 raketa balistike të lëshuara drejt Izraelit.
Si shkak i luftimeve, janë larguar rreth 1.2 milion njerëz nga shtëpitë e tyre në Liban, tha njësia e krizës në vend. /Telegrafi/