Site icon Telegrafi

Izraeli godet objektivat e Hezbollahut ‘thellë brenda’ Libanit pas sulmit vdekjeprurës në fushën e futbollit në Lartësitë Golan

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka goditur objektivat e Hezbollahut “thellë brenda territorit libanez”.

Siç thekson IDF, të sulmuara janë depot e armëve dhe “infrastruktura terroriste”.

Bëhet e ditur se zonat e prekura janë Chabriha, Borj El Chmali dhe Beqaa, Kfarkela, Rab El Thalathine, Khiam dhe Tayr Harfa.

Ky sulm vjen pas paralajmërimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se grupi militant libanez Hezbollah “do të paguajë një çmim të rëndë” për një sulm në një fushë futbolli në Lartësitë Golan që vrau të paktën 11 fëmijë dhe adoleshentë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Izraeli fajësoi Hezbollahun për sulmin në rajonin e kontrolluar nga Izraeli, por Hezbollahu nxitoi ta mohonte akuzën – diçka që e bën rrallë.

Lexo po ashtu Libani sulmon me raketa një fushë futbolli në Izrael, të paktën 12 të vdekur

Zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, kundëradmirali Daniel Hagari, tha se 20 persona u plagosën në sulmin në Lartësitë Golan.

Ai shtoi se ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj civilëve izraelitë që kur luftëtarët e Hamasit kaluan me paraglide mbi kufirin nga Gaza në jug të Izraelit për të kryer masakrën e 7 tetorit.

Ndryshe, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarre që nga 8 tetori.

Javët e fundit, shkëmbimi i zjarrit përgjatë kufirit Liban-Izrael është intensifikuar, me sulmet ajrore izraelite dhe sulmet me raketa dhe dron nga Hezbollahu që godasin më thellë dhe më larg kufirit. /Telegrafi/

Exit mobile version