Përfaqësuesja e Izraelit ka arritur në Kosovë të premten, përderisa në aeroportin e Prishtinës kishte masa të rrepta sigurie.
Kosova dhe Izraeli të dielën zhvillojnë një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian.
Dy autobusët e ekipit izraelit u shoqëruan nga disa makina të Policisë së Kosovës nga aeroporti deri në hotelin ku po qëndron ekipi, ku po ashtu kishte masa të shtuara të sigurisë, shkruan REL.
Federata e Futbollit të Izraelit ka postuar në rrjetin social X një video ku shiheshin lojtarët gjatë rrugëtimit të tyre drejt aeroportit në Izrael, të cilët u detyruan të strehoheshin, pasi një raketë u hodh në afërsi.
“Asgjë nuk do të na ndalë në rrugën tonë drejt Euro 2024”, shkroi federata.
Kjo do të jetë ndeshja e parë që Izraeli do të luajë që nga nisja e luftës në Rripin e Gazës. Fillimisht, ndeshja Kosovë-Izrael ishte paraparë të mbahej më 15 tetor.
Izraeli është në vendin e tretë në Grupin I për Euro 2024, pas Rumanisë dhe Zvicrës, por ka dy ndeshje të paluajtura.
Izraeli asnjëherë nuk është kualifikuar për Kampionatin Evropian që kur iu bashkua UEFA-s më 1994. Por, tani duhet të luajë katër ndeshje në dhjetë ditë, në tentim që të kualifikohet. /REL/