Kosova ka mbetur i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, ku qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër Evropë. Heqja e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën padyshim që është një lajm i mirë, por tejet e dhimbshme është izolimi i dy milionë banorëve që jetojnë në shtetin më të ri evropian. Sa herë që flitet për rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës, apo për liberalizim të vizave, të krijohet përshtypja sikur Kosova ndodhet në një kënd të largët të botës. Nuk jemi pjesë e kontinentit të vjetër, por një hendek i thellë është në mes nesh. Në fakt Kosova ndodhet pikërisht në Evropë, është pjesë e saj. Por, ky pozicion gjeografik duket se nuk u jep të drejtën kosovarëve që ta konsiderojnë veten pjesë integrale të botës evropiane dhe civilizimit perëndimor.
Bashkimi Evropian kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës, si zakonisht, njëherë përmbushjen e standardëve e pastaj “statusin” (vizat). Është për t’u shqetësuar konstatimi i Komisionit Evropian se Qeveria e Kosovës ende nuk është e gatshme të fillojë dialogun për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Në anën tjetër, institucionet tona këtë muaj presin strategjinë për liberalizimin e vizave, strategji kjo që parasheh përmbushjen e dhjetëra kritereve. Menaxhimi i integruar i kufirit dhe pasaportat biometrike janë kriteret bazë të cilat duhet të plotësohen për të kaluar provimin e BE-së. Mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së padyshim se do të paraqesë pengesë të madhe në këtë rrugëtim të Kosovës.
Derisa evropianët e civilizuar mund të shëtitin gjithë kontinentin pa viza, kur të duan, ne kosovarët ende duhet të paguajmë qindra euro për të marrë një vizë shengen, e shpeshherë edhe pse e “thajmë lekun” nuk mund ta marrim “byrekun”. Rrethanat dhe specifikat e vendit tonë dëshmojnë për një prapambetje të madhe dhe një zhvillim tepër të ngadalshëm në krahasim me vendet evropiane. Të gjithë ne duam të jetojmë ashtu siç jetojnë evropianët e zhvilluar, të kemi punë, të drejta, të lëvizim lirshëm, por këto kërkesa ende mbesin më shumë në kuadër të dëshirave. Njëmbëdhjetë vjet pas luftës ende e kemi të vështirë të përjetojmë evropianizimin në kuptimin e standardeve të shoqërisë moderne. Neve na mbetet të punojmë bashkërisht, pa dallim etnie, feje, race dhe shpresojmë që shumë shpejt Bashkimi Evropian do t’i hapë dyert edhe për qytetarët e shtetit më të ri në Evropë. Liria e lëvizjes është një nga liritë më të rëndësishme, mbi të cilën qëndron BE-ja, prandaj kjo e fundit nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë që banorët e Kosovës të gjenden të izoluar.