Rruga, e cila i lidhë 18 fshatra të Artakollit me Vushtrrinë, Skenderajn e Obiliqin, e ku kalojnë 10 mijë banorë tash e 50 vite ka mbetur pa investime. Mungesa e investimeve ka bërë që të vështirësohet edhe qarkullimi i banorëve të këtyre pjesëve.
Deputetja Xhevahire Izmaku, e cila vjen nga Vushtrria, në seancën ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2017, ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti që të ndahen mjete financiare për asfaltimin e asaj rruge, shkruan Telegrafi.
Ajo ka treguar se rruga ka vetëm 16 kilometra dhe ka rëndësi të madhe për banorët e 18 fshatrave.
“Kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të merret parasysh kërkesa dhe të investohet në këtë rrugë sepse këta banorë po vuajnë për një rrugë”, tha Izmaku.
Sipas saj, banorët e këtyre fshatrave merren kryesisht me bujqësi dhe kanë vështirësi në transportimin e produkteve të tyre për t’i hedhur në treg. /Telegrafi/