Qytetarët në zgjedhjet e ardhshme duhet të kundërshtojnë përzgjedhjen e vazhdueshme të të njëjtëve persona për deputetë. Kështu mendon ish deputeti Izet Zeqiri, sipas të cilit, deri tani në politikë, zakonisht janë avancuar vetëm më të besuarit e liderit.
Qytetarët në zgjedhjet e ardhshme duhet të kundërshtojnë përzgjedhjen e vazhdueshme të të njëjtëve persona për deputetë. Kështu mendon ish deputeti Izet Zeqiri, sipas të cilit, deri tani në politikë, zakonisht janë avancuar vetëm më të besuarit e liderit.
“Deri tani në zgjedhjen e deputetëve ka peshuar besnikëria dhe servilizmi ndaj liderit të partisë. Besnikët dhe servilët kanë qenë të avancuar në partitë tona shqiptare dhe jo njerëzit që kanë qenë profesionistë të përgatitur dhe njerëz që kanë pas përgjegjësi ndaj votuesve. Mendoj se qytetarët duhet t’i thonë jo riciklimit konstant të pothuajse të njëjtave figura në skenën politike por duhet t’u jepet hapësirë, njerëzve të ri, cilësor, profesionistë të ri por jo edhe pa përvojë, që ata të marrin barrën dhe të përfaqësojnë interesin e qytetarëve në parlament”, tha Izet Zeqiri për Alsat-M.
Ligji në Maqedoni nuk kufizon numrin e mandateve të deputetit. Sipas ligjit një kandidat për deputet duhet të ketë mbushur 18 vjet, të jetë i aftë për punë dhe të mos jetë i gjykuar apo në vuajtje të dënimit me burg për ndonjë vepër penale.
Funksioni i deputetit nuk korrespondon me funksionin president i Republikës së Maqedonisë, kryeministër, ministër, gjykatës i Gjykatës Kushtetuese, gjykatës, gjykatës publik, avokat i popullit dhe me funksione të tjerë të cilat i zgjedh dhe emëron Parlamenti ose Qeveria, kryetar komune, etj.
Ndër deputetët me më shumë mandate në parlamentin e Maqedonisë që nga zgjedhjet e vitit 2002 e këndej, janë vetë dy liderët e partive shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi të cilët kryesojnë edhe listën për më shumë mungesa në seancat parlamentare.
Listat e deputetëve për në mandatin e ardhshëm nga zgjedhjet e 5 qershorit, partitë duhet t’i dorëzojnë në KSHZ më së voni në 11 maj kurse të njëjtat, pas shqyrtimit, duhet të vërtetohen më së voni deri më 15 maj.