Procesi i vetingut, apo pastrimit siç e propozon kryeministri, Zoran Zaev, duket se do të vazhdojë të jetë sfida e vitit 2020 për një gjyqësor të pavarur dhe të çliruar nga korrupsioni.
Ndonëse është një proces që është dashur të bëhet më herët, ai nuk duhet shfrytëzuar si fushatë parazgjedhore nga partitë politike, vlerëson ish gjykatësi, Trendafil Ivanovski.
Sipas tij, mënyrat se si propozohet vetingu dhe nxitimi për të realizuar të njëjtit do të jenë joefektive dhe me pasoja negative.
“Gjyqësori, prokuroria, mbrojtja, në vend se të jenë shtylla të shteti juridik, për fat të keq viteve të fundit varrosën drejtësinë. Sipas kësaj, reale janë reagimet në opinion. Mënyra se si propozohet vetingu, nëse realizohet si lustrim, nuk është e mirë, joefektive, e as e realizueshme. Nga ana tjetër, LSDM, mënyra se si e propozon, pasi që prapë se prapë është parti politike, më ngjan në një lloj fushate, sikur nuk kanë pasur kohë në gjithë këtë periudhë që të ndërmerret diçka në shpejtësi që mundet të jetë negative. Nga ana tjetër, fjalimet e BDI-së për veting të tërësishëm, si vetingu në Shqipëri, mendoj se gjithashtu është joefikas, pasi që situatat nuk janë të njëjta dhe se gjithashtu nuk do të japë rezultate. E gjithë kjo kërkon një vetëpërmbajtje që pas zgjedhjeve të ulet dhe të aftësohet Këshilli i Gjykatësve dhe Këshilli i Prokurorëve, pasi që ata janë të obliguar të sigurojnë pavarësi dhe paanshmëri gjykatësve dhe prokurorëve. Secila fushatë, çdo nxitim, edhe pse koha ka kaluar, ajo do të ndikojë negativisht. Nuk na duhet fushatë! Nuk na duhet politikë”, tha ish gjykatësi, Trendafil Ivanovski.
Presidenti Pendarovski është për një proces pastrimi në gjyqësi, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. BDI e ka vetingun pjesë të 5 prioriteteve programore.
Kryeministri Zaev mbështet “pastrimin” në gjyqësor dhe prokurori sipas rregullativës ligjore, por nuk është për proces vetingu si ai që realizohet aktualisht në Shqipëri e që ka rezultuar me 83 gjykatës dhe prokurorë të përjashtuar nga puna nga gjithsej 220 që kanë kaluar “sitën” e kontrollit. Sipas tij, RMV akoma ka arritur këtë nivel dhe vetingun duhet ta bëjë Këshilli i Gjykatësve, Këshilli i Prokurorëve dhe Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit.
Nga OBRM-PDUKM kërkojnë që procesin e vetingut ta kalojnë edhe politikanët. Duke filluar nga viti 2020, Komisioni për Anti-korrupsion do të kontrollojë gjendjen pronësore të gjykatësve dhe prokurorëve publikë. Ata do të ndjekin e gjendjes pronësore dhe ndeshjen e interesave duke u bazuar në analizën e bërë dhe vlerësimin e rrezikut nga korrupsioni në disa fusha.