Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit Biljana Ivanovska, bën thirrje që të mos dorëzohen raporte të rrejshme me qëllim që siç thotë, të diskreditohen kundërshtarët politikë.
Ajo thotë se pranimi i lehtë i ankesave të rrejshme e vendos Komisionin në shërbim të përleshjeve partiake, që bëhen me shpifje, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ivanovska fton dorëzuesit e ankesave që në seancën e radhës, të njëjtat t’i dorëzojnë me të dhëna të vërteta.
“Kam reaguar pasi nuk është korrekte që me qëllim të dorëzohen ankesa të rrejshme, që të paralizohet puna e Komisionit dhe të prishet imazhi i atyre kundër të cilëve dorëzohet ankesa”, tha Ivanovska për BIRN.
Ajo shtoi se për momentin nuk ka instrumente për sanksionimin e subjekteve që dorëzojnë ankesa të rrejshme.
“Kemi disa ide të cilat do të ulin rrezikun e dorëzimit të ankesave të rrejshme”, thotë Ivanovska.
Seanca e radhës e Komisionit për Antikorrupsion është caktuar për nesër, ndërsa përveç shqyrtimit të lëndëve për korrupsion dhe konflikt të interesave, do të merret vendim edhe për shpalljen e të dhënave të besueshme për shërbime sekrete./Telegrafi/