Presidenti Gjorgje Ivanov edhe këtë vit e organizon shkollën për lider të rinj ku do të trajnohen 45 lider të rinj të përzgjedhur me konkurs publik, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Shkolla do të mbahet nga 14 deri më 26 gusht dhe do të ketë 21 ligjerues eminent. Mes ligjeruesve të shkollës, informojnë nga kabineti presidencial, këtë vit janë ish presidentët e Latvisë dhe Bullgarisë, Vaira Vīķe-Freiberga dhe Petar Stojanov, drejtori i Bibliotekës së Aleksandrisë në Egjipt, Ismail Serageldin, si dhe profesorë eminentë, biznesmenë, përfaqësues të institucioneve elite nga Republika e Maqedonisë dhe vendet e huaja.
Pjesëmarrësit në Shkollë vijnë nga mjedise të ndryshme akademike. Mes tyre ka individë të suksesshëm të cilët studimet e tyre diplomike ose postdiplomike i kanë kryer në universitetet në vend dhe në universitetet e renomuara nga Evropa dhe SHBA-ja.
Realizimi i Shkollës për liderë të rinj e presidentit Ivanov në tërësi përkrahet nga sektori privat përmes donacioneve.
Shkolla për liderë të rinj për herë të parë është mbajtur në gusht të vitit 2010 në Ohër. Gjatë gjashtë viteve të kaluara në të kanë marrë pjesë rreth 240 njerëz të rinj nga sfera të ndryshme akademike dhe profesionale./Telegrafi/