Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorgje Ivanov nuk do të marrë pjesë në Samitin e NATO në Varshavë, për shkak të injorimit të së drejtës ndërkombëtare, vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë, aspektet gjeopolitike dhe sfidat e sigurisë në rajon, kanë thënë për AIM përfaqësuesit e Kabinetit të tij, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Derisa nuk merren parasysh këto fakte, theksojnë nga Kabineti, presidenti Ivanov nuk do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, ndërsa Republika e Maqedonisë do të prezantohet në nivel të ministrave të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, praktikë e vendosur nga samiti në Kardif në vitin 2014.
“Presidenti Ivanov që para Samitit të NATO në Kardif në vitin 2014 mori vendim të mos marrë pjesë në samitin e Aleancës ku nuk do të respektohen angazhimet e Republikës së Maqedonisë dhe ku do të vazhdojë injorimi i të drejtës ndërkombëtare, aktvendimi i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë, aspektet gjeopolitike, sfidat e sigurisë në rajon, Qëndrim konzistent të presidentit Ivanov është se frustrimet nga pritja e gjatë shprehet në jetën e përditshme në Republikën e Maqedonisë, veçanërisht në atë politike dhe ndëretnike”, sqarojnë nga Kabineti i presidentit të Maqedonisë.
Nga kabineti i tij përkujtojnë se presidenti Ivanov, ka qenë edhe në Samitin e Lisbonës në vitin 2010 dhe në atë të Çikagos në vitin 2012./Telegrafi