Kryetari i Maqedonisë Gjorjge Ivanov dhe kryetari i Serbisë Tomisllav Nikoliq, sot janë takuar në Manastir për të diskutuar zgjidhje të përbashkëta për probleme të caktuara që i prekin të dy shtetet, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ne si presidentë nuk mundemi ta ndryshojmë historinë, por mundemi ta ndryshojmë të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa e ardhmja jonë e përbashkët është realizimi i qëllimeve tona strategjike të cilat janë identike për të dy vendet dhe për atë ngadalësimin e procesit të eurointegrimeve të rajonit tonë e konsiderojmë si diçka që ndikon në atë fuqi dhe energji që i transformon shoqëritë tona. Ne jemi të bllokuar në atë proces, ndërsa Serbia përparon. Ne na është shkurtuar ajo energji sepse jemi të bllokuar dhe ende nuk kemi marrë datë që t’i fillojmë negociatat për eurointegrimet, por të gjithë ne që jetojmë në Ballkan duhet ta shohim fotografinë e madhe dhe të ndihmojmë që tërë Ballkani të përparojë, sepse është me interes të përbashkët”, theksoi Ivanov pas takimit.
“Për fat të keq kush është në BE fiton përkrahje më të madhe, ndërsa kush nuk është ka ndihmë më të vogël. E papranueshme është që Evropa t’i mbyllë kufijtë e saj, e ne të mbetemi të hapur, madje e papranueshme është Evropa në gjysmë Evropë t’i mbrojë kufijtë e saj, dhe ajo atë duhet ta bëjë në fillimin e saj”, theksoi Nikoliq./Telegrafi/