Telegrafi

Ivanov: Institucionet tona janë të gatshme për një fluks të mundshëm të emigrantëve (Foto)

Presidenti i Republikës së Maqedonisë dhe komandant suprem i forcave të armatosura Gjorge Ivanov, i shoqëruar nga shefi i Shtatmadhorisë së ARM, gjeneral-nënkoloneli Metodija Veliçkovski, sot i ka vizituar pjesëtarët e ARM të angazhuar në kufirin jugor, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ivanov gjatë vizitës ka theksuar se forcat tona të sigurisë janë të gatshme për një fluks të dytë eventual të emigrantëve.

“Edhe pse shtegu ballkanik është mbyllur disa muaj, Armata konstaton rritje të numrit kalime të paligjshme të kufirit shtetëror dhe paraqitje të fshehjes së emigrantëve përmes territorit tonë. Armata së bashku me policinë kanë penguar 18.000 kalime të paligjshme”, ka thënë Ivanov.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëse Maqedonia duhet ta ndjekë shembullin e Serbisë dhe Bullgarisë dhe të tërheq më shumë pjesëtarë të forcave të sigurisë, presidenti Ivanov ka thënë se për momentin ka numër të mjaftueshëm të pjesëtarëve të ARM dhe të policisë në kufirin jugor dhe ata e kryejnë punën e tyre. Ngjarjet, siç ka theksuar ai, ndiqen gjatë ditës dhe ashtu siç ekziston nevoja ashtu rritet edhe numri i ushtarëve.

Për atë çka mund të presim në periudhën e ardhshme, Ivanov ka përsëritur se institucionet në vazhdimësi i ndjekin ngjarjet dhe se gjithçka që është në fuqinë tonë është ndërmarrë.

“Fatkeqësisht ne jemi lënë vetëm dhe vetë i bartim vendimet dhe përshtatemi në to”, ka thënë mes tjerash Ivanov./Telegrafi/