Shitjet e linjës së veshjeve të Ivanka Trump janë rritur në masë të madhe që nga viti i kaluar kur babai i saj, Donald Trump, u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Edhe pse pati një fushatë për bojkotimin e të gjitha produkteve të Trump, kjo nuk ndodhi me produktet e Vajzës së Parë amerikane, e cila e ka rritur shitjen për 61 për qind deri në fund të janarit.
Sipas një raporti të Fortune.com, nga shitja e produkteve të licencuara të Ivankas janë përfituar 47.3 milionë dollarë.
Në muajin shkurt thuhet se produktet e saj kanë arritur kulmin e shitjeve, megjithëse disa dyqane i kanë refuzuar produktet e saj. Një prej tyre ishte rrjeti i dyqaneve Nordstrom që është kritikuar nga Trump.
“Vajza ime Ivanka është trajtuar në mënyrë jo të drejtë nga Nordstrom. Ajo është një person i shkëlqyer që gjithmonë më bën presion për ta bërë gjënë e duhur! E tmerrshme!”, kishte shkruar Trump në Twitter. /Telegrafi/